Hamza pas votimeve në Kuvend: Vendi do të ketë stabilitet institucional
G.K/RTKlive
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka përshëndetur miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës, duke uruar presidenten e re dhe duke premtuar bashkëpunim.
Duke folur për Ligjin për Dhomat e Specializuara, Hamza tha se PDK-ja nuk synon ta pengojë drejtësinë, por që ajo të vendoset dhe lufta e UÇK-së të trajtohet drejt.
“Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kaluar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Po ripërsëris, për sotin: ne nuk dëshirojmë me pengu drejtësinë. Ne dëshirojmë me vendos drejtësi. Ne dëshirojmë që luftës së popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me i garantuar drejtësi. Me pas mbikëqyrje, me pas transparencë, me pas llogaridhënie”, tha Hamza.
Ai tha se me miratimin e këtij ligji synohet që lufta e UÇK-së të mos gjykohet dhe historia të mos rishkruhet.
“Dhe jam i bindur që me këtë ligj është siguruar që lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të gjykohet. Historia nuk mund të rishkruhet. Ne e njohim të drejtën e të gjitha viktimave për drejtësi. As nuk kemi çka me fshehur. Çdo krim që ka ndodhur, le të luftohet deri në fund”, u shpreh ai.
Hamza tha se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentes kanë qenë çështje të ndara.
“Dhe du me theksu se këto çështje nuk kanë qenë të ndërlidhura. Për shkak se ligji është një çështje e veçantë që unë jam i bindur, po e ritheksoj, i kalon përmasat e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe pse dihet që propozuese, iniciuese e këtij ligji ka qenë Partia Demokratike e Kosovës”, deklaroi Hamza.
Ai falënderoi deputetët që votuan pro ligjit dhe tha se pret që të adresohen edhe çështjet e ngritura para fillimit të zbatimit të tij.
“Du me i falënderu gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin pro këtij ligji dhe presim që çështja për të cilën ne presim të adresohet edhe para se me ardhë koha kur ky ligj të veprojë”, tha ai.
Sa i përket zgjedhjes së presidentes, Hamza e përshëndeti zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës, duke e vlerësuar si një personalitet të njohur në jetën akademike dhe politike.
“Sa i përket çështjes së dytë, çështjes së presidentes së vendit, është mirë që Kuvendi i Kosovës e zgjodhi presidente zonjën Justina Pula Shiroka, me personalitet të njohur në jetën akademike dhe politike në Kosovë të kaluarën, dhe është një përfaqësuese e denjë për pozitën e presidentes”, u shpreh Hamza.
Hamza i uroi sukses presidentes së re dhe garantoi bashkëpunimin e PDK-së për ta përkrahur atë. Ai tha se zgjedhja e presidentes do t’i sjellë vendit stabilitet politik dhe institucional.
“Unë i uroj presidentes sukses në punë, i garantoj bashkëpunim në emër të Partisë Demokratike të Kosovës për ta përkrahur në fund presidenten dhe jam i bindur që është mirë që vendi do të ketë stabilitet politik, institucional dhe të kthehet në adresimin e nevojave të qytetarëve që janë shumë. Janë më shumë se shumë”, shtoi Hamza.























