Policia: Protesta përfundoi kryesisht e qetë, pa incidente serioze
G.K/RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e zhvilluar gjatë së martës në sheshet e Prishtinës, pranë Kuvendit të Kosovës, ka përfunduar kryesisht e qetë dhe pa incidente serioze.
Sipas Policisë, protesta ka zgjatur gjatë tërë ditës dhe ka përfunduar pas mesnatës, pas përfundimit të seancës së Kuvendit, ku u votua plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentes së Kosovës.
“Protesta ka përfunduar kryesisht e qetë pa incidente serioze, përjashtuar hedhjen e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve nga disa protestues”, thuhet në njoftim.
Policia ka theksuar se gjatë gjithë protestës ka ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, sigurisë së objekteve private e publike dhe mbarëvajtjen e protestës.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim e protestim të qetë dhe respektim të udhëzimeve policore, të cilat kontribuuan në mbarëvajtjen e protestës dhe qetësisë publike”, thuhet më tej.
Policia ka bërë të ditur se, sipas mandatit të saj ligjor dhe kushtetues, do të vazhdojë me detyrat e rregullta policore.























