Drejtoresha e RTK-së, Spahiu, merr pjesë në konferencën “Disinfo2026” në Lituani
RTKlive
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Zana Spahiu, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Disinfo2026”, e cila po mbahet më 7 dhe 8 tetor në Vilnius të Lituanisë.
Konferenca mbledh ekspertë të medias, studiues, profesionistë të teknologjisë dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave nga vende të ndryshme, për të diskutuar mbi dezinformimin, manipulimin e informacionit, inteligjencën artificiale, përgjegjësinë e platformave digjitale dhe qëndrueshmërinë e medias.
Në margjinat e konferencës, drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së ka zhvilluar takime me ekspertë ndërkombëtarë të medias dhe hapësirës digjitale, si dhe me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme.
Gjatë këtyre takimeve është diskutuar për zhvillimet në mjedisin informativ, sfidat që lidhen me dezinformimin dhe manipulimin e informacionit, si dhe për qëndrueshmërinë e medias në epokën digjitale.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe roli i mediave publike në forcimin e besimit të publikut, sigurimin e qasjes në informacion të besueshëm dhe përballjen me sfidat që sjellin zhvillimet teknologjike dhe platformat digjitale.
Takimet kanë ofruar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe perspektivave mbi çështjet që lidhen me të drejtat digjitale, politikat e medias, rregullimin e platformave online dhe përgjegjësinë e tyre në moderimin e përmbajtjes.
Pjesëmarrja e drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së në “Disinfo2026” vjen në një kohë kur zhvillimet teknologjike, inteligjenca artificiale, platformat digjitale dhe format e reja të manipulimit të informacionit po krijojnë sfida të reja për mediat dhe audiencën.























