Kush është presidentja e re e Republikës?|Video
Visar Shatrolli /RTK
Republika e Kosovës ka një presidente të re në krye të shtetit. Justina Shiroka-Pula vjen në Presidencë pas një karriere disa-dekadëshe në akademi, ekonomi, shoqëri civile dhe institucione publike. Ajo ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka shërbyer si ministre dhe deputete, ndërsa formimin akademik e ka ndërtuar në Kosovë, Austri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë, pas këtij rrugëtimi, ajo merr përgjegjësinë për ta udhëhequr Presidencën e Kosovës.
Republika e Kosovës tashmë ka një presidente të re në krye të shtetit.
Postin më të lartë institucional të vendit do ta drejtojë Justina Shiroka-Pula.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo.
Por, përtej postit të ri institucional, kush është Justina Shiroka-Pula?
Profili i saj është i lidhur ngushtë me akademinë dhe ekonominë, fusha në të cilat ka ndërtuar një karrierë prej disa dekadash.
Vetëm një vit para zgjedhjes në krye të shtetit, në vitin 2025, Shiroka-Pula mori drejtimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke u bërë gruaja e parë që udhëheq këtë institucion, të themeluar në vitin 1975.
Formimi i saj akademik kishte nisur shumë më herët në Prishtinë, ku përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm.
Në vitin 1976, ajo diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, duke e orientuar më pas karrierën drejt ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik.
Pikërisht në këtë fushë vazhdoi edhe studimet e avancuara.
Në vitin 1984, përfundoi studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit.
Rrugëtimi akademik nuk përfundoi aty.
Shiroka-Pula u doktorua në Universitetin e Prishtinës me tezën "Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës", ndërsa më vonë ndoqi edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Paralelisht me formimin akademik, ajo ndërtoi edhe një karrierë të gjatë profesionale.
Punën e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 iu bashkua Fakultetit Ekonomik si ligjëruese.
Përvoja e saj nuk mbeti vetëm brenda auditorëve universitarë.
Pas përfundimit të luftës, Shiroka-Pula u angazhua edhe në shoqërinë civile, me fokus në fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë.
Nga ekonomia dhe akademia, rrugëtimi i saj do të vazhdonte edhe në institucionet politike të Kosovës.
Në periudhën 2008-2011, ajo shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave, ndërsa më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ishte deputete e Kuvendit të Kosovës.
Kështu, përvoja e saj përfshin disa fusha të rëndësishme të jetës publike nga ekonomia dhe universiteti, te shoqëria civile, qeveria dhe Kuvendi, e deri te drejtimi i institucionit më të lartë shkencor të vendit.
Tashmë, pas kësaj rruge të gjatë institucionale dhe akademike, Justina Shiroka-Pula merr përgjegjësinë për të udhëhequr presidencën e Republikës së Kosovës.
Nga akademia në presidencë, ajo hyn në këtë detyrë me një karrierë disa-dekadëshe në jetën publike të Kosovës dhe me një mandat që, siç tha vetë në ceremoninë e betimit, nuk i përket vetëm presidentes, por qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.























