Qytetarët pas zgjedhjes së presidentes presin stabilitet dhe punë|Video
BKT
Lajme

Qytetarët pas zgjedhjes së presidentes presin stabilitet dhe punë|Video

Valjete Shala /RTK

Pas zgjedhjes së presidentes së re dhe miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, qytetarët presin më shumë stabilitet politik dhe institucional. Ata kërkojnë që institucionet të përqendrohen në zbatimin e ligjeve dhe në miratimin e legjislacionit me rëndësi për vendin.

Qytetarët vlerësojnë se zgjedhja e presidentes së re pritet t'i japë vendit më shumë stabilitet politik dhe institucional. Ndërkaq, miratimi i Ligjit për Dhomën e Specializuar shihet si një hap i rëndësishëm për trajtimin e drejtë të çështjeve që lidhen me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Zgjedhja e presidentes dhe ligjin në fjalë është një arritur e madhe, sidomos e krejt popullit kosovar, jo vetëm e institucioneve, sepse kjo ka domethënie të madhe përkundër asaj që na presin punë të mëdha", tha një qytetar.

"Fatmirësisht qëllova në kohën kur në Kosovë u zgjidh një problem shumë i madh. Pikë së pari, u zgjodh presidentja e Republikës së Kosovës, kështu që çdo gjë do të shkojë kah e mbara", theksoi tjetri qytetar.

"Për zgjedhjen e presidentit është më mirë se kursehen bukur para, se ishin dashur shumë para për me vazhduar edhe një herë zgjedhjet", pohoi qytetari.

Tash, kur institucionet janë formuar dhe ligji është miratuar, qytetarët presin që ai të jetësohet, ndërsa të miratohen edhe ligje të tjera me rëndësi për vendin dhe për mirëqenien e tyre.

"Është bërë mirë, përfundimi ka ardhur mirë se ka pasur probleme, po ushtrinë duhet me mbrojtë. Se edhe vetë kam qenë pjesëtar, veteran, edhe e di që vuajtjet këtu, po përfundimin e mirë e kanë pasur. E sa të vazhdojnë tash, t'i ndihmojmë njëri-tjetrit se e kemi obligim", thotë qytetari.

"Më në fund u krye, ligji po u krye dhe presidentja, u bë mirë. Për Kosovën edhe për popullin, edhe për ata çlirimtarët atje, edhe për të gjithë", tha qytetari.

Qytetarët presin që pas këtyre zhvillimeve institucionet të fokusohen në punë konkrete, zbatimin e ligjeve dhe adresimin e çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.


MË SHUME NGA Lajme