Në Tiranë shfaqet dokumentari i RTK-së kushtuar gjeneralit Adem Shehu
Sahadete Krasniqi/RTK
Në kinemanë “Millennium” në Tiranë u shfaq dokumentari “Në Shërbim të Betimit”, prodhim i RTK-së, kushtuar gjeneralit Adem Shehu dhe kontributit të tij në luftën për çlirimin e Kosovës.
Dokumentari sjell historinë e ushtarakut shqiptar Adem Shehu, i cili u angazhua në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë kontributin e tij në përpjekjet për lirinë e Kosovës.
Përmes rrëfimeve të bashkëluftëtarëve dhe familjarëve, dokumentari i realizuar nga bashkautorët Mumin Jashari dhe Sahadete Krasniqi përcjell emocione të forta, krenari dhe kujtime të dhimbshme për luftën dhe sakrificën e gjeneralit Adem Shehu.
Angazhimi i Adem Shehut për çlirimin e Kosovës kishte nisur para se ai të përfshihej në përgatitjen e vullnetarëve të UÇK-së. Në vitin 1997, ai u njoh me heroin Agron Rrahmani dhe veprimtarin e çështjes kombëtare dhe eprorin e UÇK-së, Fatmir Humolli.
Këto takime i paraprinë një periudhe angazhimi intensiv të Shehut në përgatitjen e vullnetarëve që vinin nga Kosova dhe nga vise të ndryshme shqiptare.
























