Senatorja amerikane nga Tirana: Mesazhe për stabilitetin rajonal
A.B/RTKLive
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen ka paralajmëruar se zhvillimet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin rajonal, duke theksuar se politika amerikane duhet të forcojë institucionet demokratike dhe marrëveshjet që kanë kontribuar në ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor.
“Shqipëria e kupton se paqëndrueshmëria nuk ndalet te kufiri. Ajo që ndodh në Bosnjë ka rëndësi këtu. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi këtu. Nëse stabiliteti është objektivi ynë, politika amerikane duhet të përforcojë institucionet dhe marrëveshjet që kanë ndihmuar në ruajtjen e tij”, deklaroi Shaheen gjatë një aktiviteti të organizuar nga Këshilli Atlantik në Tiranë.
Në këtë aktivitet, me temën “Zgjedhja e Shqipërisë: Liderët e rinj në bisedë me senatorët amerikanë”, Shaheen foli për rëndësinë e forcimit të demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe vazhdimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik.
Senatorja, e cila është anëtare e lartë e pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, paralajmëroi se përparimi demokratik në rajon po përballet me kërcënime në rritje. Ajo theksoi se brezi i ri i liderëve do të ketë rol vendimtar në të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për situatën në Bosnjë e Hercegovinë, Shaheen tha se, më shumë se 30 vjet pas luftës, disa liderë politikë vazhdojnë të shfrytëzojnë ndarjet etnike dhe të sfidojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Ajo shprehu gjithashtu kundërshtimin e saj ndaj vendimit të administratës amerikane për heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, duke thënë se është e shqetësuar kur Shtetet e Bashkuara u japin legjitimitet forcave politike që minojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.
Duke folur për prioritetet e politikës amerikane në rajon, Shaheen veçoi tri fusha kryesore: mundësitë ekonomike, stabilitetin dhe institucionet demokratike.
Ajo theksoi se zhvillimi ekonomik nuk mund të ndahet nga sundimi i ligjit, gjykatat e pavarura dhe konkurrenca e ndershme. Sipas saj, të rinjtë kanë më shumë arsye të qëndrojnë në vendet e tyre kur besojnë se puna dhe përpjekjet e tyre do të shpërblehen dhe se mund të ndërtojnë një të ardhme pa u larguar nga vendlindja.
Shaheen riafirmoi gjithashtu mbështetjen e saj për një rrugë të besueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo paralajmëroi se procesi i zgjerimit nuk duhet të mbetet një premtim i pafund dhe se vendet që zbatojnë reformat e kërkuara duhet të kenë një perspektivë konkrete përpara.
Në fund të fjalimit, senatorja amerikane iu drejtua të rinjve shqiptarë, duke i inkurajuar të angazhohen në jetën publike, të ndërtojnë biznese, të kandidojnë për poste publike dhe të kërkojnë llogaridhënie nga udhëheqësit e tyre. “E ardhmja është në duart tuaja”, përfundoi Shaheen.
Shaheen po zhvillon vizitën e saj të fundit në rajon si pjesë e një delegacioni të Kongresit amerikan, së bashku me senatorin demokrat Dick Durbin. Gjatë kësaj vizite, delegacioni po zhvillon takime me zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe liderë të rinj për çështje që lidhen me sigurinë, demokracinë dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.























