Vdes Dr. Ukshin Ismajli, ish-drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit
BKT
Lajme

Vdes Dr. Ukshin Ismajli, ish-drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit

M.Sh/RTKLive

Ka ndërruar jetë Dr. Ukshin Ismajli, anesteziologu i parë i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit dhe një nga figurat më të rëndësishme të shëndetësisë në Gjilan dhe Anamoravë.

Gjatë karrierës së tij 41-vjeçare, Dr. Ismajli dha një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbimin shëndetësor, duke shërbyer për dekada me përkushtim ndaj pacientëve. Ai ishte drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit nga viti 2000 deri më 2007, ndërsa u pensionua në vitin 2022.

Sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, Dr. Ismajli ishte anesteziologu i vetëm për rreth 20 vjet në rajon dhe mori pjesë në më shumë se 81 mijë operacione.

Ai dha kontribut edhe në periudha të vështira për vendin, përfshirë trajtimin e nxënësve të helmuar në vitet ’90, shërbimin gjatë luftës së UÇK-së dhe UÇPMB-së, menaxhimin e situatave pas tërmetit të vitit 2002 dhe angazhimin gjatë pandemisë COVID-19.

Dr. Ismajli do të kujtohet për profesionalizmin, humanizmin dhe përkushtimin e tij në shërbim të qytetarëve.

Për ndarjen e tij nga jeta ka shprehur dhimbje edhe ish-komandanti i UÇPMB-së, Sami Azemi, i cili e kujtoi mjekun për shërbimin e tij ndaj njerëzve në ditët e vështira të luftës dhe në kohë paqeje.

Në emër të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni u ka shprehur ngushëllime familjes Ismajli, kolegëve dhe qytetarëve.

Kujtimi për Dr. Ukshin Ismajlin dhe kontributi i tij në shëndetësinë e rajonit do të mbeten të paharruar.


MË SHUME NGA Lajme