Gjykata e Apelit konfirmon zgjedhjen e Mejreme Memajt dhe Rrustem Thaçit në KGJK
BKT
Lajme

Gjykata e Apelit konfirmon zgjedhjen e Mejreme Memajt dhe Rrustem Thaçit në KGJK

RTKLive

Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe të gjyqtares Franciska Zhitija Ymeri lidhur me procesin zgjedhor për zgjedhjen e dy anëtarëve të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme.

Me aktgjykimin e datës 21 shtator 2026, kjo gjykatë e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit raundi i dytë i votimit ishte i kundërligjshëm, ndërsa rezultati i raundit të parë ishte i vlefshëm.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet që, brenda 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit, të nxjerrë një akt të ri administrativ dhe të certifikojë rezultatin e raundit të parë, sipas të cilit Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaçi janë kandidatët e zgjedhur si anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e Gjykatës Supreme.

KGJK-së gjithashtu i është caktuar detyrimi që Memajt t’ia kompensojë 2.750,34 euro për shpenzimet e procedurës, brenda të njëjtit afat.

Kontesti lidhet me procesin zgjedhor të mbajtur më 23 janar 2026, në të cilin kishin të drejtë vote 35 gjyqtarë, ndërsa votuan 34.

Në raundin e parë u përdorën 34 fletëvotime, prej të cilave 33 ishin të vlefshme dhe një i pavlefshëm. Sipas raportit të Komisionit Zgjedhor, Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaçi morën nga 17 vota, ndërsa Franciska Zhitija Ymeri dhe Bashkim Hyseni morën nga 16 vota secili.

Megjithatë, pas raundit të parë u organizua edhe raundi i dytë. Në të morën pjesë 34 gjyqtarë dhe të gjitha fletëvotimet ishin të vlefshme. Në këtë raund, Franciska Zhitija Ymeri dhe Rrustem Thaçi morën nga 19 vota, ndërsa Mejreme Memaj dhe Bashkim Hyseni nga 15 vota secili. Më 29 janar 2026, KGJK-ja i certifikoi Rrustem Thaçin dhe Franciska Zhitija Ymerin si anëtarë të zgjedhur, ndërsa me një vendim tjetër e hodhi si të palejuar kundërshtimin e paraqitur nga Memaj.

Mejreme Memaj e kundërshtoi këtë procedurë në gjykatë, duke pretenduar se raundi i dytë ishte organizuar në kundërshtim me Rregulloren nr. 09/2019 për Procedurën dhe Kriteret e Zgjedhjes së Anëtarëve të KGJK-së.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e 2 korrikut 2026, e aprovoi kërkesëpadinë e saj, anuloi raundin e dytë dhe vendimet e KGJK-së të 29 janarit, si dhe konstatoi se rezultati i raundit të parë duhej të certifikohej.

KGJK-ja dhe Zhitija Ymeri e ankuan këtë aktgjykim, duke kërkuar që të ndryshohej vendimi i shkallës së parë dhe të mbeteshin në fuqi vendimet e KGJK-së. Ato pretenduan, ndër të tjera, se shumica e votave duhej të llogaritej mbi bazën e të gjitha 34 fletëvotimeve të përdorura dhe se ankesa e Memajt duhej të refuzohej.

Gjykata e Apelit nuk i pranoi këto pretendime. Në arsyetim theksohet se fletëvotimi i pavlefshëm dëshmon pjesëmarrjen në votim, por nuk shpreh vullnet të vlefshëm për asnjërin kandidat dhe, për këtë arsye, nuk mund të përfshihet në llogaritjen e shumicës. Për përcaktimin e rezultatit, baza duhet të jenë 33 votat e vlefshme. Me 17 vota, Memaj dhe Thaçi kishin marrë secili 51,52 për qind të votave të vlefshme, ndërsa Zhitija Ymeri dhe Hyseni kishin marrë nga 48,48 për qind.

Sipas kolegjit të Apelit, Rregullorja parashikon mbajtjen e raundit të dytë vetëm nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën e votave ose nëse ka numër të barabartë votash. Meqë në raundin e parë, bazuar në votat e vlefshme, dy kandidatët kishin arritur shumicën, nuk kishte bazë ligjore për zhvillimin e raundit të dytë.

Gjykata po ashtu vlerësoi se referimi i KGJK-së në një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit nuk mund të bartet automatikisht në këtë proces, i cili rregullohet me dispozita të veçanta.

Në përfundim, Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore e kishte vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe e kishte zbatuar drejt të drejtën materiale. Për këtë arsye, ankesat e KGJK-së dhe të Franciska Zhitija Ymerit u refuzuan, ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë u vërtetua.


MË SHUME NGA Lajme