Strategjia shtetërore për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel |Video
BKT
Lajme

Strategjia shtetërore për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel |Video

Elmina Osmani / RTK

Institucionet dhe partitë politike në Kosovë po kërkojnë koordinim më të madh dhe hapa konkretë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit në Hagë. Pas themelimit të Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se mbështetja financiare do të përfshihet në buxhetin e vitit 2027. Ndërkaq, opozita kërkon përgjegjësi të qarta, rritje të fondeve për mbrojtjen juridike dhe angazhim më të madh me partnerët ndërkombëtarë.

Faza e apelit për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ka vënë në lëvizje institucionet e larta të shtetit. Presidentja, kryeparlamentarja, kryeministri dhe kryediplomati i shtetit janë bërë bashkë në takimin e parë koordinues për hartimin e një strategjie të përbashkët mbrojtëse. Pas themelimit të Grupit Punues, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se masat dhe kostot financiare do të përcaktohen gjatë rrugës, ndërsa fondet do të sigurohen në projeksionet e ardhshme buxhetore.

“Kështu po e kthejmë qëndrimin tonë në veprim konkret shtetëror, mbështetje e bashkërenduar për korrigjimin e gjykimit në apel dhe angazhim të vazhdueshëm për mbrojtjen e të vërtetës historike dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Paralelisht me këtë strategji, në mbrojtje të vlerave të luftës, ministri Andin Hoti vë në pah rëndësinë e jashtëzakonshme të projektligjit, i cili tash e rreth tri dekada nga përfundimi i luftës, mbetet pa formë të prerë.

“Nuk mund të lejoj që ligji për vlerat e luftës çlirimtare, që na përfshin të gjithëve këtu, të tentojë të kalojë politikisht dhe të rrëzohet pastaj, siç ka ndodhur me dhjetëra herë në të kaluarën”, ka thënë Hoti.

Kreu i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, teksa kërkoi nga kreu i shtetit angazhim të vazhdueshëm dhe komunikim me partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të krerëve të UÇK-së, themelimin e Grupit Punues e cilësoi hap pozitiv.

“Në rregull, por tani duhet të kalojmë nga vendimet te veprimet. Na duhet një strategji e mirëfilltë shtetërore, me përgjegjësi të qarta, afate konkrete dhe rezultate të matshme që udhëhiqen nga interesi afatgjatë i shtetit tonë”, ka thënë Hamza.

Pjesëmarrjen në këtë nismë e konfirmoi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.

“Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, por pa i mashtruar qytetarët e Kosovës me iniciativa që s'kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”, ka thënë Abdixhiku.

Grupi Punues do ta ketë edhe mbështetjen e Aleancës.

“Do t'i japim mbështetje çdo angazhimi në mbështetje të të gjithë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe bëjmë thirrje: Larg duart nga UÇK-ja për të gjithë, pra kushdo qofshin ata”, ka thënë Ramush Haradinaj nga Aleanca.

Klasa politike e vendit, si rrallëherë, u bë një në mbështetjen e krerëve të UÇK-së në fazën e apelit.

Mbetet të shihet se si do të konkretizohet strategjia, cilat masa do të përfshijë dhe çfarë fondesh do të ndahen për zbatimin e saj.

Grupi Punues pritet të përcaktojë hapat e mëtejmë, me synimin që angazhimi institucional të shndërrohet në veprime konkrete në mbështetje të procesit të apelit në Hagë.


MË SHUME NGA Lajme