Kosova forcon luftën kundër financimit të terrorizmit
BKT
Lajme

Kosova forcon luftën kundër financimit të terrorizmit

Valjete Shala/RTK

Do të mbesim edhe pak te ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, që tashmë kanë dritën e gjelbër të ligjvënësve me mbështetjen e të gjitha komuniteteve. Njohës të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare vënë në pah se ky ligj e rreshton Kosovën si një partner serioz në rajon, duke bllokuar kanalet e parave të padeklaruara që përdoren nga grupet kriminale.

Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, mbetet i një rëndësie të veçantë në kontrollimin e rrjedhës së parasë dhe luftimit të financimit të terrorizmit. Përtej qëllimit të përgjithshëm të sigurisë, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë u treguan të vëmendshëm për t'i analizuar nëse këto rregulla të reja prekin apo i cenojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë.

“Ky ligj nuk prek apo cenon ndonjë fushë të veprimtarisë që ndërlidhet me jetën e komuniteteve...”, tha Fridon Lala, Deputet nga IRDK.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se shtrëngimi i kontrolleve mbi transaksionet e dyshimta financiare dëshmon pjekurinë e shtetit të Kosovës përballë partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tyre, bllokimi i parasë së gatshme dhe të padeklaruar mbetet jetik për t'i parandaluar skenarët e rrezikshëm të sigurisë, duke marrë si shembull sulmet e kaluara në veri të vendit.

“Rasti i Banjskës është treguesi më i mirë se si rrjedha e parave kesh dhe të padeklaruar dhe tepër të dyshimtë kanë bërë që të shkojnë në drejtimin e mbështetjes financiare ndaj grupeve terroriste”, Dorajet Imeri, Njohës i çështjeve ndërkombëtare

Vula përfundimtare për këtë nismë, nga aspekti i të drejtave të komuniteteve, u dha në Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, ku projektligji mori dritën e gjelbër me shumicë  votash.

Drejtuesit e këtij komisioni sqaruan se raporti i pranuar nga Komisioni Funksional për Buxhet përfshin amendamente të cilat janë në harmoni të plotë me standardet dhe ligjet e Bashkimit Evropian, duke e rreshtuar kështu Kosovën si një partner serioz në forcimin e sigurisë rajonale.


MË SHUME NGA Lajme