Kosova në Samitin Ekonomik në Tajlandë
BKT
Në Fokus

Kosova në Samitin Ekonomik në Tajlandë

Elmine Osmani/RTK

Kosova është bërë pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme ekonomike globale në Bangkok të Tajlandës. Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Kosovës po merr pjesë në Takimet Vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Rëndësia e këtij takimi për Kosovën është jetike: ai jo vetëm që garanton forcimin e stabilitetit tonë financiar, por hap rrugën për projekte të mëdha strategjike, si integrimi në sistemin evropian të pagesave SEPA.

Liderët e financave globale janë mbledhur, në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, për të diskutuar të ardhmen ekonomike të botës. Në këtë tryezë të nivelit më të lartë, Kosova ka siguruar një ulëse të rëndësishme. Delegacioni i Bankës Qendrore ka nisur tashmë një agjendë të ngjeshur takimesh me drejtuesit e institucioneve më të fuqishme monetare.

Një nga momentet kyçe ka qenë takimi bilateral me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li. Përmes një komunikate zyrtare, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se në këtë takim u konfirmua se sektori bankar në vendin tonë mbetet i qëndrueshëm, likuid dhe plotësisht i mirëkapitalizuar. Banka Qendrore, rithekson se ky stabilitet është rezultat i reformave të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Por, pesha kryesore e këtij takimi për vendin tonë lidhet me të ardhmen e ekonomisë digjitale. Në njoftimin e saj, Banka Qendrore sqaron se delegacioni po shfrytëzon këtë platformë për të shtyrë përpara modernizimin e sistemit të pagesave dhe anëtarësimin në SEPA, Zonë Unike kjo e Pagesave në Euro, që është një iniciativë dhe standard evropian, e cila mundëson kryerjen e transfertave bankare në euro brenda vendeve anëtare, në mënyrë po aq të thjeshtë, të shpejtë dhe të lirë sa pagesat e rregullta brenda një shteti. Ky hap strategjik pritet të ulë ndjeshëm kostot e dërgesave të parave për diasporën dhe për bizneset kosovare.

Takimet në Bangkok do të vazhdojnë deri më 18 tetor, ku Kosova synon të sigurojë marrëveshje tëreja për asistencë teknike dhe mbështetje financiare në projekte që prekin drejtpërsëdrejti zhvillimin ekonomik të vendit.

 


MË SHUME NGA Në Fokus