Zgjedhjet në Serbi nën hijen e parregullsive, Evropa paralajmëron qytetarët
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Një javë para zgjedhjeve parlamentare, institucionet evropiane paralajmërojnë qytetarët për zgjedhjet në Serbi. Pas gati dy vjetësh protestash, pakënaqësia ndaj pushtetit të Aleksandër Vuçiqit po testohet në kutitë e votimit, ndërsa rezultati pritet të ndikojë edhe në drejtimin politik të Serbisë në raport me rajonin dhe BE-në.
Një javë para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, nga Evropa vijnë paralajmërime për presion ndaj votuesve, dhunë, keqpërdorime dhe kushte të pabarabarta në fushatë. Tensionet janë shtuar edhe për shkak se zgjedhjet po shihen si një lloj referendumi për vazhdimin ose jo të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, gjatë vizitës në Beograd, u takua me Ana Bërnabiqin, ushtruesen e detyrës së presidentes së Serbisë, si dhe me përfaqësues të pushtetit dhe të opozitës.
“Fushata zgjedhore në Serbi po zhvillohet në një mjedis shumë të polarizuar, që mund të rrezikojë kushtet e barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje”, thuhet në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Janë ngritur shqetësime për dominimin e pushtetit në media, presionin ndaj votuesve dhe retorikën armiqësore ndaj opozitës dhe gazetarëve. Paralajmërime të ngjashme vijnë edhe nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, i cili kërkon kushte të barabarta dhe ndarjen e shtetit nga aktivitetet partiake.
“Jemi të shqetësuar për incidentet e raportuara të dhunës, të cilat nuk kanë vend në procesin zgjedhor”, thuhet në komunikatën e Delegacionit të BE-së, i cili rikujton rëndësinë e zgjedhjeve të lira për rrugën evropiane të Serbisë.
Edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) paralajmëron se një pjesë e rekomandimeve për përmirësimin e kushteve zgjedhore ende nuk janë zbatuar.
Opozita i vlerëson kushtet zgjedhore si më të pafavorshme se në vitet e kaluara, duke theksuar veçanërisht kufizimet e votimit në diasporë dhe kontrollin mbi mediat.
Zgjedhjet do të ndiqen nga rreth 80 vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, nga 29 shtete, si dhe nga misionet e ODIHR-it, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.
Pritshmëritë për këto zgjedhje janë të mëdha. Pas gati dy vjetësh protestash, Lista Studentore është shndërruar në sfiduesen kryesore të pushtetit, ndërsa SNS-ja nuk e ka më epërsinë e dikurshme ndaj opozitës në tërësi.
A do të shndërrohet pakënaqësia e shprehur në rrugë në vota për ndryshim, apo partia e Aleksandar Vuçiqit do të vazhdojë qeverisjen, duke hyrë në vitin e pesëmbëdhjetë në pushtet? Për Serbinë, por edhe për rajonin, këto zgjedhje do të jenë të rëndësishme jo vetëm për atë se kush do të qeverisë në Beograd, por edhe për drejtimin që do të marrë politika e ardhshme e Serbisë ndaj fqinjëve.























