Tahiri: Shteti ende pa mbështetje të çlirimtarëve, qytetarët në varfëri
BKT
Lajme

Tahiri: Shteti ende pa mbështetje të çlirimtarëve, qytetarët në varfëri

K. K. / RTKlive

Shefi i grupit parlamentar i Aleancës, Besnik Tahiri, pas mbarimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, foli rreth përgatitjeve të shtetit të Kosovës për procesin e Apelit në Hagë për katër çlirimtarët.

"E para, shteti i Kosovës e ka përcaktuar një komision që do të merret me hartimin e strategjisë së shtetit të Kosovës, e cila duhet të jetë në mbështetje të katër çlirimtarëve që janë në Hagë. Emrat janë vendosur. Këtë javë besoj do të ketë edhe një takim. Por mbi takimet është e rëndësishme të mos ketë vonesë që shteti i Kosovës të veprojë për adresimin e kësaj teme që është e rëndësishme", deklaroi ai.

"Sot është data 19, pra ka kaluar një muaj prej kur është marrë vendimi. Shteti i Kosovës ende nuk ka marrë veprime të cilat ishin dashur të jenë bazë në raport me qëndrimin e shtetit në Bruksel, Londër, Uashington e kudo", theksoi Tahiri.

Ndër të tjera, ai tha se pakënaqësitë në shoqëri po rriten për shkak të vështirësive ekonomike, shërbimeve të dobëta shëndetësore dhe problemeve në sistemin arsimor.

“Njerëzit nuk po mund ta lidhin muajin me muaj. Njerëzit që janë në punë po kanë problem. Dikush në familje sëmuret e po kanë problem t’i blejnë ilaçet apo të marrin një shërbim”, tha Tahiri.

Sipas tij, edhe arsimi po përballet me probleme serioze, ndërsa te të rinjtë po shtohet pakënaqësia ndaj shtetit dhe politikës.

“Problemet janë në çmimet e larta, në varfëri, në shërbime të dobëta, në shëndetësi dhe në arsim. Këto janë katër problemet kryesore”, ka thënë ai.

Tahiri tha se AAK-ja do të kërkojë politika konkrete për adresimin e këtyre çështjeve.


MË SHUME NGA Lajme