Protesta në Tiranë përplasje mes protestuesve dhe policisë|VIDEO
A.B/RTKLive
(E plotësuar) Dita e shtatë e protestës është shoqëruar me një përshkallëzim të tensioneve gjatë orëve të mbrëmjes, ku grumbullimet e të rinjve kaluan në përplasje të hapura me forcat e rendit përgjatë disa prej nyjeve kryesore të kryeqytetit.
(E plotësuar) Sipas përditësimit zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së datës 19 tetor 2026 në Shqipëri, deri në orën 21:00, në qendrat spitalore kryesore të kryeqytetit janë paraqitur disa qytetarë, efektivë të policisë dhe përfaqësues të medias për të marrë ndihmë mjekësore.
Trajtimet në Spitalin Universitar të Traumës
Pranë Spitalit Universitar të Traumës (SUT) janë paraqitur gjithsej katër kalimtarë të dëmtuar gjatë zhvillimeve në terren. Pas marrjes së shërbimit të nevojshëm mjekësor, gazetari i një medie ndërkombëtare ka lënë ambientet e spitalit, pasi u konstatua se ndodhej “në gjendje jashtë rrezikut për jetën dhe me këshillën e mjekut.”
Një kalimtar i lënduar u largua gjithashtu pas marrjes së trajtimit përkatës, ndërsa aktualisht në SUT ndodhen dy kalimtarë të tjerë, të cilët “po i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme.”
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre qytetarë për ndihmë të specializuar mjekësore. Ekipi mjekësor bën me dije se grupi i të trajtuarve përbëhet nga një efektiv policie, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias. Autoritetet spitalore konfirmojnë se “aktualisht, të gjithë janë në gjendje shëndetësore stabël.”
Përditësimi spitalor analizon gjithashtu bilancin tërësor të të lënduarve gjatë ciklit të protestave që nga fillimi i tyre më 13 tetor. Numri i përgjithshëm i personave që kanë marrë ndihmë mjekësore arrin në 310 të lënduar, i cili ndahet si vijon: 191 punonjës të Policisë së Shtetit;88 protestues dhe 31 kalimtarë të dëmtuar nga incidentet rreth zonave të protestës.
Reagimi i Kishës Ortodokse Autoqefale, thirrje për paqe dhe respektim të vendeve të shenjta pas përplasjeve
(E plotësuar) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka dalë me një qëndrim zyrtar pas zhvillimeve të fundit në Tiranë, ku oborri i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” u kthye në një skenë përplasjesh mes forcave të Policisë së Shtetit dhe protestuesve.
Pasi ka analizuar pamjet e ngjarjes, institucioni fetar shprehu publikisht shqetësimin e tij të thellë lidhur me cenimin e mjediseve të saj. Kisha u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të respektojnë paprekshmërinë e institucioneve të kultit, duke argumentuar thelbin e tyre shpirtëror dhe paqësor. Në deklaratë theksohet qartë se “vendet e shenjta asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.”
Duke i rikujtuar publikut funksionin parësor të këtyre objekteve, reagimi saktëson se Katedralja “Ngjallja e Krishtit” mbetet ekskluzivisht “një vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.”
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ripërsëriti domosdoshmërinë për të ulur tensionet në vend, duke bërë edhe një herë thirrje për një distancim të plotë nga aktet e dhunës si dhe për “gjetjen e hapësirës së dialogut” si e vetmja rrugë për zgjidhjen e situatës.
(E plotësuar Protesta në Tiranë po vazhdon, ndërsa situata mbetet e tensionuar. Gazetari i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Arton Mulliqi i cili po raporton nga afër zhvillimet në Tiranë, bën të ditur se po vazhdojnë përplasjet mes protestuesve dhe policisë.
QKUM reagon ndaj dezinformimit, mjetet tona përdoren vetëm për transportin e pacientëve
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) ka reaguar publikisht lidhur me disa përmbajtje dezinformuese që po qarkullojnë në rrjetet sociale nga faqe jozyrtare, ku bëhen pretendime të rreme për përdorimin e mjeteve të saj të transportit mjekësor.
Përmes një deklarate zyrtare, QKUM konfirmoi se mjeti i shfaqur në materialet e publikuara i përket flotës së saj, duke sqaruar se “kjo targë është e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore”, por hodhi kategorikisht poshtë çdo spekulim mbi veprimtarinë e tij.
Institucioni theksoi se “nuk është e vërtetë çfarë shkruajnë”, duke riafirmuar misionin e vetëm të mjeteve të saj: “Ne trajtojmë dhe transportojmë vetëm pacientë.”
Në mbyllje të reagimit, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj faqeve të rreme dhe të verifikojnë burimet e informacionit, duke kërkuar: “Lutemi mos u mashtroni nga këto rrjete.”
(E plotësuar) Protesta në Tiranë e cila ka hyrë në ditën e shtatë të saj është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Turma e grumbulluar fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara ndërtesës së Kryeministrisë, më pas ka marshuar në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe sheshit “Skënderbej” në Tiranë.
(E plotësuar) Protestuesit e mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë janë zmbrapsur pas ndërhyrjes së policisë, e cila përdori topa uji dhe sasi të mëdha gazi lotsjellës. Protestuesit janë zhvendosur tashmë në sheshin “Skënderbej”.
Gjatë lëvizjes së protestuesve, situata është përshkallëzuar. Efektivët e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën e mbledhur.
Raportohet se protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë ndërsa policia është kundërpërgjigjur me ujë përmes autoboteve që ndodhen aty pranë.
PD akuzon Gjykatën e Tiranës për mosdhënien e listës së të arrestuarve avokatëve
(E plotësuar) Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo akuzoi nënkryetaren e Gjykatës së Tiranës, Migena Laska, se ka urdhëruar të mos u vihet në dispozicion avokatëve lista e personave të arrestuar gjatë protestës, të cilët pritet të paraqiten nesër në gjykatë për caktimin e masave të sigurisë.
Në një deklaratë për mediet, Garo tha se avokatët e protestuesve të ndaluar nga policia gjatë protestave të ditëve të fundit kanë ngritur shqetësimin për mosvënien në dispozicion të listës së personave që do të paraqiten për masë sigurie. “Ky është vendimi më i pashembullt në historinë e drejtësisë”, deklaroi Garo.
Ajo e cilësoi këtë veprim si shkelje të së drejtës për mbrojtje efektive. “Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtës për mbrojtje efektive. Me sa duket, ajo ka marrë urdhër politik që të përjashtojë kështu avokatët e zgjedhur nga të ndaluarit dhe t’u emërojë atyre avokatë patronazhistë”, tha Garo.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë shkelje të rëndë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutës dhe ligjeve të vendit!”, u shpreh Garo.
Situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar
(E plotësuar) Protestat në Tiranë po vazhdojnë edhe sot, në ditën e shtatë. Ato nisën më 13 tetor, me revoltën e studentëve, dhe më pas u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje të qytetarëve me forcat e rendit!
Protesta në Tiranë sot është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa efektivët e forcave speciale RENEA janë vendosur sërish pranë Kryeministrisë, për të tretën natë radhazi.
Situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar, ndërsa forcat e rendit janë të pozicionuara në zonën përreth godinës së Kryeministrisë, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e tubimit.
Përplasjet vijnë pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës, ku janë raportuar hedhje fishekzjarrësh dhe molotovësh në drejtim të policisë.

Dëmtuan Gjykatën e Apelit, arrestohen pesë shtetas dhe 15 të tjerë shpallen në kërkim
Policia e Shtetit informoi sot se ka arrestuar pesë shtetas dhe ka shpallur në kërkim 15 të tjerë, pasi dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit.
Sipas Policisë u arrestuan shtetasit: A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç dhe një i mitur 16 vjeç, të cilit gjatë kontrollit, iu gjetën lëndë piroteknike.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera përgjatë tubimit të sotëm, te Gjykata e Apelit, u identifikuan 20 shtetas që dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e këtij institucioni. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Mbrojtja e të miturve gjatë protestave, MPB falënderon prindërit dhe bën apel për largim nga aktet e dhunshme
Në një deklaratë për mediat, Zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, përcolli qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me menaxhimin e situatës gjatë protestave të fundit dhe përfshirjen e të rinjve në to. Ruseti shprehu një falënderim për prindërit dhe kujdestarët që bashkëpunuan duke siguruar frekuentimin e rregullt të mësimit nga fëmijët, “duke bërë të mundur mos përfshirjen e tyre në një protestë ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme.”
Lidhur me gjendjen e sigurisë në terren, zëvendësministrja nënvizoi se pavarësisht incidenteve specifike—siç është sulmi i regjistruar ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë—rendi publik mbetet nën monitorim të plotë. Siç theksoi ajo, “situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit është në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.”
Kuadri ligjor dhe përgjegjësia penale e të miturve
Gjatë fjalës së saj, Ruseti vuri theksin te pasojat ligjore me të cilat përballen personat që përfshihen në aktet e dhunës, duke sqaruar se e drejta për të protestuar nuk do të thotë shmangie nga përgjegjësia individuale për dëmtime të pronës, zjarrvënie apo përplasje me uniformat e plota.
Për sa i përket moshës dhe trajtimit ligjor të të miturve, deklarata detajoi kufijtë e parashikuar nga legjislacioni vendas.
Ministria e Brendshme rikujtoi se “sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç.”
Është sqaruar se procesi do të udhëhiqet nga parimi i mbrojtjes së të miturve dhe se “përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë.”
Apeli ndaj të rinjve dhe familjeve
Në përmbyllje të mesazhit, Zëvendësministrja Ruseti u bëri thirrje të drejtpërdrejtë të rinjve që ndodhen pranë zonave të tensioneve të distancohen nga aktet e dhunshme. Ajo i nxiti ata “të mos lejojnë që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’i çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën”, duke kërkuar njëkohësisht vijimin e bashkëpunimit me prindërit për të parandaluar këtë fenomen.























