Pakistani kërkon drejtësi për sulmet në Ibër-Lepenc dhe Banjskë
V.Th/RTKLive
Ushtruesi i detyrës së përfaqësuesit të përhershëm të Pakistanit në OKB, Ambasadori, Usman Jadoon, ka kërkuar që përgjegjësit për sulmet në Ibër-Lepenc dhe Banjskë të dalin para drejtësisë, duke theksuar se kjo do të ndihmonte në ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, Jadoon tha se pjesëmarrja e vazhdueshme në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura janë rruga e vetme e qëndrueshme për tejkalimin e sfidave dhe garantimin e paqes në rajon.
Ai përshëndeti mbajtjen paqësore të zgjedhjeve në Kosovë dhe përfundimin e procesit zgjedhor me betimin e presidentes Justina Shiroka-Pula.
Jadoon dënoi gjithashtu gjuhën e urrejtjes, retorikën përçarëse dhe tensionet ndëretnike, duke kërkuar që autoritetet përkatëse të ndërmarrin veprime vendimtare kundër këtyre dukurive.
Duke folur për burimet e përbashkëta ujore, ai tha se ato nuk duhet të përdoren për përfitime politike apo për qëllime të ngushta gjeopolitike.
Në fund, ambasadori theksoi se Pakistani mban marrëdhënie miqësore me Serbinë dhe Kosovën dhe mbështet paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën në Ballkan.























