Bibliotekat Kombëtare të Kosovës dhe Hungarisë me memorandum bashkëpunimi
BKT
Lajme

Bibliotekat Kombëtare të Kosovës dhe Hungarisë me memorandum bashkëpunimi

Sh.G|RTKlive

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Biblioteka Kombëtare Széchényi e Hungarisë kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, që synon forcimin e bashkëpunimit kulturor, shkëmbimin e stafit dhe zhvillimin e trajnimeve profesionale në fushën e digjitalizimit.

Memorandumi u nënshkrua nga drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, dhe drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare Széchényi të Hungarisë, Judit Gerencsér.

Në takimin ndërmjet përfaqësuesve të të dy institucioneve morën pjesë edhe sekretari i Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Bislim Bislimi, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë.

Sipas njoftimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, bashkëpunimi u mundësua falë angazhimit të ambasadorit të Kosovës në Hungari, Delfin Pllana, i cili kontribuoi në realizimin e kësaj iniciative dhe të vizitës së delegacionit.

Gjatë vizitës, delegacioni nga Kosova u njoh nga afër me veprimtarinë e Bibliotekës Kombëtare Széchényi, shërbimet për përdoruesit, proceset e digjitalizimit dhe praktikat për ruajtjen e koleksioneve bibliotekare.

Përmes këtij memorandumi, dy institucionet synojnë të zhvillojnë projekte të përbashkëta kulturore, të mundësojnë shkëmbimin e përvojave profesionale dhe të avancojnë kapacitetet në fushën e digjitalizimit dhe ruajtjes së trashëgimisë bibliotekare.

Nënshkrimi i marrëveshjes paraqet një hap drejt zgjerimit të bashkëpunimit institucional dhe forcimit të lidhjeve kulturore ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.


MË SHUME NGA Lajme