10:50 / 23.10.2026
Sonte do të ndalet Njësia B2 e “Kosovës B”
K. K. / RTKlive
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia B2 e termocentralit “Kosova B” do të ndalet në mënyrë të kontrolluar më 24 tetor, rreth orës 00:15, për shkak të problemeve teknike të evidentuara.
Sipas njoftimit të KEK-ut, ndalja do të bëhet si masë parandaluese, me qëllim të mbrojtjes së pajisjeve nga dëmtimet e mundshme dhe garantimit të sigurisë së operimit.
KEK-u ka bërë me dije se ekipet profesionale dhe teknike janë në gatishmëri për të nisur sanimin e problemeve sapo të krijohen kushtet e nevojshme.
Duke u bazuar në vlerësimet aktuale, sipas KEK-ut, punimet pritet të përfundojnë gjatë fundjavës.
Korporata ka njoftuar se publiku do të informohet me kohë për rikthimin e Njësisë B2 në operim.























