200 projektligje në agjendë të Kuvendit/ Video
BKT
Në Fokus

200 projektligje në agjendë të Kuvendit/ Video

Arbresha Berisha / RTK

Për shkak të krizës politike të dy viteve të fundit, një numër i madh projektligjesh kanë mbetur pa u miratuar në Kuvendin e Kosovës. Agjenda legjislative për periudhën 2026?2028 përfshin rreth 200 projektligje që prekin ekonominë, arsimin, shëndetësinë, drejtësinë dhe fusha të tjera.

Përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë përmirësimin e kushteve për investime, reforma në sundimin e ligjit dhe përfshirje në konsultimet për ligjet ekonomike. Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se miratimi i këtyre ligjeve është i rëndësishëm për qytetarët, zhvillimin ekonomik dhe përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

 “Në Kuvend ka ardhur një agjendë prej 200 projektligjesh për periudhën 2026?2028. Më shumë se për nga sasia, ne duhet të shohim rëndësinë e këtyre projektligjeve, nevojën për qytetarët dhe qeveria dhe Kuvendi t’i japin prioritet më shumë zbatimit të tyre. Janë disa urgjenca, si marrëveshjet ndërkombëtare e reformat e Planit të Rritjes”, ka thënë Violeta Haxholli, hulumtuese e lartë në KDI.

Pjesë e agjendës janë edhe një sërë nismash që prekin drejtpërdrejt bizneset dhe konsumatorët.

Bëhet fjalë për projektligjet për tatimin mbi vlerën e shtuar, për tatimin në të ardhurat personale, për partneritetin publiko-privat, për tregjet e kapitalit, për Bankën Zhvillimore të Kosovës, si dhe për mbrojtjen e konkurrencës.

Për sektorin privat, përveç miratimit të ligjeve, rëndësi të veçantë ka edhe krijimi i një mjedisi më të favorshëm për investime.

 “Ne duhet të punojmë në përmirësimin e ligjit për investitorët strategjikë, të punojmë në reformat në sundimin e ligjit. Kam biznese që ankohen se presin pesë vjet për një kontest në shkallën e parë”, ka thënë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ndërkaq, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i kanë thënë shkurt RTK-së se nuk janë ftuar për konsultime lidhur me projektligjet që kanë të bëjnë me ekonominë, për çka kanë ngritur shqetësime.

Krahas zhvillimit ekonomik, përafrimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian vlerësohet si një objektiv i rëndësishëm.

 “Herët apo vonë, kur të marrin statusin kandidat për BE, do të ketë proces të përafrimit të ligjeve të Kosovës me ato të BE-së dhe kjo duhet të ndodhë me doemos. Qeveria i ka marrë disa hapa, si propozimi i disa projektligjeve për miratim”, ka thënë Besar Gërgi, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.

Njohës të politikës dhe të ekonomisë thonë se ligjet që hartohen dhe miratohen duhet të sjellin zgjidhje konkrete për qytetarët, si dhe të avancojnë zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të Kosovës.


MË SHUME NGA Në Fokus