Analistët: Ndryshimet politike në Serbi nuk garantojnë qasje të re ndaj Kosovës
BKT
Lajme

Analistët: Ndryshimet politike në Serbi nuk garantojnë qasje të re ndaj Kosovës

Emine Hoti/RTKlive

Dy mandatet e fituara nga përfaqësuesit shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe ndryshimet politike në Serbi ishin në fokus të debatit në emisionin RTK Prime. Të ftuarit vlerësuan rëndësinë e përfaqësimit politik të shqiptarëve, ndërsa shprehën dilema nëse zhvillimet e reja politike në Serbi do të sjellin ndryshime në qasjen ndaj Kosovës dhe pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në emisionin RTK Prime sonte është diskutuar për dy mandatet e fituara nga përfaqësuesit shqiptarë në Luginën e Preshevës, si dhe për ndikimin e ndryshimeve politike në Serbi në raport me Kosovën dhe komunitetin shqiptar atje.

Deputeti i zgjedhur shqiptar, Visar Memeti, ka vlerësuar se dy mandatet përfaqësojnë një mundësi më të madhe për artikulimin e kërkesave dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë se, ndonëse dy deputetë nuk përbëjnë numër të madh në një parlament me 250 deputetë, përfaqësimi i dyfishtë është i rëndësishëm për shqiptarët, të cilët në mandatin e kaluar kishin vetëm një përfaqësues.

Memeti ka shprehur shpresën se ndryshimet politike në Serbi mund të sjellin përmirësime në pozitën e shqiptarëve, duke përmendur problemet me migrimin, pasivizimin e adresave dhe shkeljen e të drejtave të tyre. Megjithatë, ai ka theksuar se mbetet të shihet se si do të veprojë pushteti i ri.

Ndërkaq, Arben Fetoshi nga Instituti “Octopus” ka vlerësuar se dy mandatet nuk do të jenë përcaktuese për formimin e institucioneve në Serbi, por kanë rëndësi politike dhe simbolike, pasi dëshmojnë se bashkimi i faktorit politik shqiptar në Luginë mund të japë rezultate.

Duke folur për ndryshimet në Serbi, Fetoshi ka shprehur dyshime se ato do të sjellin transformim thelbësor të politikës së jashtme, përfshirë qasjen ndaj Kosovës. Sipas tij, qëndrimet e Listës Studentore gjatë fushatës nuk japin shenja të qarta për një ndryshim substancial, ndërsa zhvillimet e ardhshme do të varen edhe nga qasja e Bashkimit Evropian dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj pushtetit të ri.

Edhe politologu Melazim Koci ka vlerësuar se ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës ndaj Kosovës. Sipas tij, qëndrimet e shprehura nga përfaqësues të Listës Studentore për marrëveshjet ndërkombëtare dhe raportet me Rusinë ngrenë pikëpyetje për drejtimin që do të marrë politika e jashtme serbe.

Koci ka theksuar se qëndrimet e reja mund të shënojnë vazhdimësi të politikave të mëparshme, madje edhe një qasje më të ashpër ndaj Kosovës, nëse përfaqësuesit e rinj kundërshtojnë obligimet ndërkombëtare të marra nga qeveritë paraprake.

Ndërsa politologu Dorajet Imeri ka thënë se Kosova nuk ka qenë çështja kryesore që ka nxitur ndryshimet politike në Serbi, por se pakënaqësia ndaj krimit dhe korrupsionit ka qenë një nga faktorët kryesorë.

Sipas Imerit, qëndrimi ndaj Kosovës mbetet një nga çështjet që bashkon klasën e vjetër dhe atë të re politike në Serbi. Ai ka theksuar se duhet të shihet se si pushteti i ri do të veprojë në raport me Kosovën, Listën Serbe dhe Milan Radoiçiqin.

Imeri ka vlerësuar se nuk pritet që struktura e re politike të ketë një qasje dukshëm më liberale ndaj Kosovës, ndërsa ka theksuar rëndësinë e informimit të faktorit ndërkombëtar për qëndrimet dhe veprimet e saj.

 


MË SHUME NGA Lajme