Analistët: Korrupsioni dhe kriza politike nxisin protestat në Shqipëri
Emine Hoti/RTKlive
Tensionet në Shqipëri, protestat në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera, si dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë, ishin temë diskutimi në emisionin RTK Prime. Të ftuarit analizuan arsyet e pakënaqësisë qytetare, ndikimin e korrupsionit në qeverisje dhe mundësinë e ndikimeve të jashtme në zhvillimet politike në Shqipëri.
Politologu Dorajet Imeri vlerësoi se qeverisja e gjatë shoqërohet edhe me përgjegjësi për dështimet, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, akuzat dhe hetimet që përfshijnë pjesëtarë të ekipit qeveritar të kryeministrit Edi Rama kanë ndikuar në rritjen e pakënaqësisë së qytetarëve.
Imeri theksoi se, pavarësisht angazhimit të institucioneve të drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet sfidë për Shqipërinë. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që aktorë të jashtëm t’i shfrytëzojnë tensionet për qëllime destabilizuese, por nënvizoi se pakënaqësia e brendshme e qytetarëve për shkak të korrupsionit nuk mund të anashkalohet.
Ndërkaq, Arben Fetoshi nga Instituti “Octopus” tha se zhvillimet në Shqipëri duhet të trajtohen veçmas nga ato në Serbi. Ai vlerësoi se Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e integrimit evropian dhe në orientimin e saj euroatlantik, por njëkohësisht po përballet me krizë të legjitimitetit politik.
Sipas Fetoshit, protestat mund të pasqyrojnë një valë më të gjerë të pakënaqësisë qytetare, e cila është shfaqur edhe në vende të tjera evropiane. Ai theksoi se kryeministri Edi Rama duhet të largohet nga pushteti, edhe nëse më pas do të rikthehej përmes një procesi të ri të legjitimimit demokratik. Sipas tij, ruajtja e stabilitetit të Shqipërisë është me rëndësi të veçantë.
Fetoshi përmendi gjithashtu mundësinë që aktorë nga Serbia dhe Rusia të përpiqen t’i shfrytëzojnë zhvillimet në Shqipëri për interesat e tyre, duke iu referuar reagimeve nga këto vende dhe deklaratave të figurave të caktuara.
Nga ana tjetër, politologu Shpend Gashi i cilësoi zhvillimet në Shqipëri si pasojë të problemeve të pazgjidhura të tranzicionit politik. Sipas tij, gjatë më shumë se tri dekadave, politika shqiptare nuk ka arritur të shkëputet plotësisht nga modeli i qeverisjes që, siç u shpreh ai, ka favorizuar korrupsionin dhe interesat partiake në dëm të qytetarëve.
Gashi vlerësoi se sistemi politik është shndërruar në një model ku korrupsioni ka ndikim të madh në funksionimin e shtetit, ndërsa pakënaqësitë e akumuluara ndër vite po shprehen përmes protestave.























