Reshitaj: Vrasja e Arlindës ngre pikëpyetje për reagimin e institucioneve
BKT
Lajme

Reshitaj: Vrasja e Arlindës ngre pikëpyetje për reagimin e institucioneve

Emine Hoti/RTKlive

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka ngritur shqetësime lidhur me reagimin e institucioneve në rastet e dhunës ndaj grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt dhe publikimit të audio-incizimeve ku, siç tha, viktima dëgjohet duke kërkuar ndihmë nga zyrtarët policorë.

Reshitaj ka thënë se audio-incizimet e publikuara e bëjnë edhe më të rëndë rastin, pasi në njërën prej tyre, një zyrtar policor dëgjohet duke iu përgjigjur viktimës “Nuk jam i obliguar me u marrë me ty”.

Ajo ka përmendur gjithashtu raportimet se, tri ditë para vrasjes, policia ishte vonuar rreth 70 minuta për t'iu përgjigjur thirrjes së Arlindës, për shkak të mungesës së një veture zyrtare.

“Çfarë sigurie mund të ndjejë një grua që kërkon ndihmë nga shteti, nëse përgjigjja që merr është se askush nuk është i obliguar të merret me të?”, ka pyetur Reshitaj.

Deputetja ka rikujtuar edhe rastin e Hamide Magashit, e cila u vra më 30 nëntor 2022 në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj, ndonëse kishte urdhër mbrojtjeje.

Ajo ka kërkuar sqarime për procedurat që pasuan atë rast, përfshirë kallëzimet penale, hetimet dhe masat disiplinore ndaj zyrtarëve policorë, duke theksuar se nuk po paragjykon fajësinë individuale.

“Çfarë ndodhi me kallëzimin penal? A u ngrit aktakuzë? A u pushuan hetimet? Çfarë ndodhi me procedurën disiplinore? Dhe mbi të gjitha, çfarë ndryshoi konkretisht pas atij rasti?”, ka deklaruar ajo.

Reshitaj ka ngritur shqetësimin edhe për rastin e një vajze të mitur nga Gjilani, e cila, sipas raportimeve, ishte sulmuar fizikisht nga bashkëmoshatarët, ndërsa pamjet e sulmit ishin shpërndarë publikisht.

Ajo ka kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale dhe mekanizma më efektivë për mbrojtjen e grave dhe vajzave që përballen me dhunë.


MË SHUME NGA Lajme