Mesazhe ndërgjegjësimi në 20-vjetorin e ecjes kundër kancerit të gjirit
Valjeta Shala/ RTK
Në përmbyllje të muajit rozë në Prishtinë u mbajt një aktivitet në mbështetje të grave të prekura nga kanceri i gjirit, me rastin e 20-vjetorit të ecjes simbolike, të organizuar nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit – JETA/VITA.
Ky aktivitet tashmë tradicional synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, të shprehë solidaritet me gratë që përballen me këtë sëmundje dhe të përcjellë mesazhin për rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe kontrolleve të rregullta shëndetësore.
Në aktivitet mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Ajo theksoi se synojnë që sa më shumë gra të zbulojnë sëmundjen qysh në fazat e para, pasi zbulimi i hershëm shpëton jetë.
“Sot jemi bashkë për ta përcjellë mesazhin e qartë: se zbulimi i hershëm shpëton jetë. Kanceri i gjirit prek shumë gra dhe familje dhe përballja me këtë sëmundje kërkon guxim, kujdes dhe mbështetje. Ajo kërkon edhe ndërgjegjësim. Asnjë grua nuk duhet të shtyjë kontrollin shëndetësor nga frika apo mungesa e informacionit. Sipas Klinikës së Onkologjisë, çdo vit identifikohen rreth 450 deri në 460 gra me kancer të gjirit. Prandaj, ndërgjegjësimi dhe kontrollet e rregullta janë të rëndësishme. Zbulimi i hershëm rrit mundësinë për trajtim të suksesshëm dhe mbijetesë. Do të synojmë që sa më shumë gra të zbulojnë sëmundjen, në fazat e para”, theksoi ajo.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nënvizoi se aktivitetet do të vazhdojnë edhe pas tetorit me qëllim të zbulimit sa më të hershëm të kësaj sëmundjeje.
“Ky muaj nuk do të përfundojë me aktivitetet sa i përket ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit. Jemi kështu të përbashkuar që të vazhdojmë edhe gjatë vitit me shumë angazhime të tjera, me të vetmin synim që sa më shumë gra të zbulohen në fazat e para. Sa më shumë gra t'u jepet mundësia për jetë, që secila grua të dijë që nuk është e vetmuar, por është bashkë, ashtu siç jemi sot këtu”, tha Vitia.
Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi njoftoi se fatmirësisht trendi i rasteve me kancer është i njëjtë me vitin paraprak.
“Deri më tani është i ngjashëm me atë të vitit 2025, që është faktor pozitiv. Njëkohësisht, kemi vërejtur një përqindje më të lartë të rasteve të diagnostikuara në stadet e hershme të sëmundjes, mbi 54%. Kjo është një shenjë inkurajuese, e cila dëshmon rëndësinë e vetëdijesimit të kontrolleve të rregullta. Falë investimeve të realizuara në Klinikën Onkologjisë, përmirësimit të infrastrukturës, pajisjeve dhe mundësive terapeutike, sot kemi kapacitete më të mëdha për trajtimin e pacientëve, si në aspektin onkologjik ashtu edhe në atë radioterapeutik”, shtoi Kurtishi.























