RTK dhe Ministria e Digjitalizimit diskutojnë për transformimin digjital
RTKlive
"Modernizimi teknologjik dhe transformimi digjital i Radio Televizionit të Kosovës ishin në fokus të takimit ndërmjet Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu, dhe Ministrit të Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, të mbajtur në ambientet e Ministrisë.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e RTK-së prezantuan prioritetet zhvillimore të transmetuesit publik dhe nevojën për mbështetje institucionale në realizimin e projekteve që synojnë avancimin e kapaciteteve teknologjike.
Diskutimet u përqendruan në modernizimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes së sinjalit digjital, digjitalizimin dhe ruajtjen e arkivit audiovizual, sigurinë kibernetike, modernizimin e sistemeve të prodhimit dhe menaxhimit të përmbajtjes, si dhe zhvillimin e platformave digjitale për audiencën.
U diskutuan mundësitë e bashkëpunimit institucional dhe të ndërlidhjes së prioriteteve të RTK-së me programet përkatëse të mbështetjes nga ana e Ministrisë për digjitalizim dhe administratë publike.
RTK synon që përmes këtij bashkëpunimi të avancojë infrastrukturën dhe shërbimet e saj digjitale, në funksion të rritjes së cilësisë, efikasitetit dhe qasjes së publikut në përmbajtjet e transmetuesit publik.
Në takim morrën pjesë edhe Udhëheqësja e Departamentit per Strategji dhe Zhvillim Elvana Prekazi dhe Udhëheqësi i Departamentit te Teknologjisë Informative Genc Muqolli.
RTK shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për Ministrin Lulëzon Jagxhiu dhe Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike për mikpritjen, konstruktivitetin dhe vullnetin për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit institucional në mbështetje të zhvillimit dhe transformimit digjital të transmetuesit publik."
























