Regjisori kolumbian sjell në dokumentar historinë e atletes Qëndresa Ramadani
BKT
Kulturë

Regjisori kolumbian sjell në dokumentar historinë e atletes Qëndresa Ramadani

K. K. / RTKlive

Regjisori kolumbian Nicolas Contreras ka realizuar dokumentarin “Qëndresa – Forca për të mos u dorëzuar”, përmes të cilit sjell historinë e atletes kosovare Qëndresa Ramadani dhe sfidat me të cilat ajo përballet në rrugëtimin e saj sportiv.

Dokumentari pasqyron përpjekjet e atletes për të ndjekur ëndrrat e saj, pavarësisht vështirësive ekonomike, kushteve të kufizuara për stërvitje dhe angazhimeve të shumta, përfshirë punën në dy vende.

Në një intervistë për RTK-në, regjisori Nicolas Contreras tregoi se me Qëndresën ishte njohur krejt rastësisht në Prishtinë, ku e kishte vërejtur gjatë stërvitjeve të përditshme në park.

Ai tha se vendosmëria, pasioni dhe përkushtimi i saj e kishin shtyrë që ta rrëfente historinë e saj përmes një dokumentari.

Sipas Kontrerasit, mesazhi kryesor i filmit është se vështirësitë nuk duhet të bëhen pengesë për realizimin e ëndrrave.

“Me historinë e saj jemi përpjekur të përcjellim mesazhin se mund t'i tejkalosh problemet dhe vështirësitë, pavarësisht asaj që të ka ndodhur apo vazhdon të të ndodhë”, u shpreh ai.

Regjisori theksoi se dokumentari dallon për humanitetin dhe natyrshmërinë e rrëfimit, duke vënë në pah njeriun përtej rezultateve sportive.

Ai bëri me dije se dokumentari do të transmetohet në një platformë mediatike në Spanjë, ndërsa në të ardhmen synon ta prezantojë edhe në festivale të ndryshme evropiane.

Contreras, i cili prej më shumë se një viti jeton mes Kosovës dhe vendeve të tjera, tha se dëshiron të realizojë edhe dokumentarë të tjerë për sportistët kosovarë, veçanërisht për rrugëtimin e tyre drejt Lojërave Mesdhetare 2030.

Ai veçoi edhe mungesën e mbështetjes së barabartë për gratë në sport, një sfidë që, sipas tij, është e pranishme si në Kosovë, ashtu edhe në Kolumbi.


MË SHUME NGA Kulturë