Poezia dhe letërsia shqipe në gjuhën gjermane
BKT
Kulturë

Poezia dhe letërsia shqipe në gjuhën gjermane

Lumira Kelmendi/RTK

Poezia dhe letërsia shqipe e përkthyer në gjuhën gjermane ka bërë bashkë autorë dhe përkthyes në një mbrëmje poezie, krijimtarie dhe dialogu ndërkulturor, ku është diskutuar për rrugëtimin e poezisë në gjuhën shqipe, e cila, me mbështetjen e rrjetit të përkthimeve Traduki, ka gjetur një shprehje të re artistike përmes përkthimit në gjuhën gjermane.

Në këtë mbrëmje, me poetët Arben Idrizi dhe Blerina Rogova Gaxha, si dhe përkthyesen Zuzana Finger, me moderimin e Blerta Ismajlit, është diskutuar mbi fuqinë e poezisë për të kapërcyer kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë dhe për të krijuar ura komunikimi ndërmjet kulturave të ndryshme.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, është shprehur se “Kjo është një temë jashtëzakonisht interesante, të reflektojmë mbi përkthimin letrar dhe përmes tij edhe mbi shkëmbimin ndërmjet kulturave, sepse pikërisht këtë e mundëson një përkthim i tillë: krijimin e urave të komunikimit dhe shkëmbimit ndërmjet kulturave”.

Përkthyesja Zuzana Finger tha se “Letërsia shqipe është ende e panjohur në Gjermani, sepse përkthehet shumë pak. Por, fatmirësisht kam gjetur disa botues të interesuar që e vlerësojnë poezinë shqipe dhe kemi botuar disa vepra”.

Gjatë diskutimit, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, u shpreh se “Jeta vetë është poezi, është e çuditshme kur e dëgjon poezinë shqipe të përkthyer në gjuhën gjermane, është shumë e bukur mënyra se si poezia merr një jetë tjetër në një gjuhë tjetër, me një ritëm dhe përfytyrim ndryshe”.

Përpjekja që letërsia shqipe të depërtojë në një treg të madh, siç është tregu i librit gjerman, është shumë domethënëse dhe njëherësh krijon mundësi të reja për autorët shqiptarë.

Ndërkaq, Blerta Ismajli theksoi se përkthimi luan rol të rëndësishëm në përhapjen e letërsisë përtej kufijve të gjuhës në të cilën ajo shkruhet. Prandaj, përmes përkthimit të poezisë shqipe në gjuhën gjermane, kjo ngjarje e vendos në qendër të saj shkëmbimin letrar ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.

“Përkrahja për ngjarje të tilla është e rëndësishme sepse përveç njohjes me letërsinë shqipe, është një mundësi e mirë e takimit ndërmjet artistëve dhe shkëmbimeve kulturore”, u shpreh Ramize Ferati nga Ambasada Gjermane në Kosovë.

Organizuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me mbështetjen e Rrjetit Traduki, kjo mbrëmje kushtuar artit të poezisë dhe përkthimit letrar në gjuhën gjermane është shoqëruar nga një performancë muzikore, duke krijuar një atmosferë artistike frymëzuese me interpretimin e poezive nga Kushtrim Mehmeti dhe me tingujt e pianos nga Mendrit Bytyçi. 

 


MË SHUME NGA Kulturë