Hapet aplikimi për programin `Fulbright Visiting Scholar` 2027–2028
Sh.G|RTKlive
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur thirrjen për aplikim në programin `Fulbright Visiting Scholar` për vitin akademik 2027–2028, i cili u mundëson ligjëruesve universitarë, hulumtuesve dhe ekspertëve nga Kosova të zhvillojnë kërkime shkencore dhe aktivitete akademike në universitete dhe institucione kërkimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit të ministrisë, qëndrimi në kuadër të këtij programi zgjat nga tre deri në gjashtë muaj, me mundësi fillimi në gusht ose shtator 2027, si dhe në janar 2028.
Të drejtë aplikimi kanë personat me gradë doktorate ose kandidatët për doktoratë, të angazhuar në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në universitete të akredituara në Kosovë, të cilët kanë njohuri të gjuhës angleze.
Programi mbulon shpenzimet e udhëtimit, mbështetjen financiare mujore dhe përfitime të tjera të përcaktuara në thirrje.
Afati i fundit për aplikim është 30 nëntor 2026, në orën 23:59. Kandidatët e interesuar mund t'i gjejnë kriteret e plota dhe dokumentacionin e nevojshëm në thirrjen zyrtare dhe platformën e aplikimit.























