Në 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë hapet ekspozita “Kosova e Kadaresë”
G.K/RTKlive
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është hapur ekspozita “Kosova e Kadaresë”, kushtuar 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Ekspozita është organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe “Shtëpinë Studio Kadare” – Bashkia Tiranë.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë familjarë të Kadaresë, ambasadorë, konsuj, akademikë, profesorë, shkrimtarë, studentë dhe lexues të veprave të tij.
Fjalë rasti mbajtën drejtoresha e përgjithshme e BKK-së, Blerina Rogova Gaxha, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, drejtoresha e “Shtëpisë Studio Kadare”, Anisa Ymeri, vajza e shkrimtarit, Besiana Kadare, botuesi Bujar Hudhri dhe akademik Mehmet Kraja.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova Gaxha, tha se realizimi i ekspozitës dhe përzgjedhja e materialeve të paraqitura në katalog përbëjnë një përpjekje për ruajtjen e kujtesës kulturore.
“Është një akt dokumentimi dhe një përpjekje për ta ruajtur e për ta bërë të qasshme memorien kulturore, për të krijuar lidhjen mes veprës e historisë, mes dokumentit e lexuesit, mes trashëgimisë të së kaluarës e pyetjeve të së tashmes”, tha Gaxha.
Zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, theksoi se Ismail Kadare e ka bërë letërsinë shqipe pjesë të letërsisë botërore dhe se ishte personalitet me ndikim ndërkombëtar.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, falënderoi bashkëpunëtorët për realizimin e ekspozitës, duke thënë se është nder i veçantë që në 90-vjetorin e lindjes janë bërë bashkë për të kujtuar dhe nderuar shkrimtarin.
“Ismail Kadare i përket asaj kategori të rrallë krijuesish që arrijnë ta kapërcejnë kohën dhe kufijtë e vendit”, tha Malaj.
Drejtoresha e “Shtëpisë Studio Kadare”, Anisa Ymeri, bëri të ditur se në realizimin e ekspozitës kanë bashkëpunuar ngushtë institucionet dhe individët, duke veçuar kontributin e vajzës së shkrimtarit, Besiana Kadare.
Sipas saj, Besiana e ka pasuruar ekspozitën me materiale nga arkivi familjar, përfshirë letra, dorëshkrime, shënime dhe nënshkrime të Kadaresë, të cilat ekspozohen për herë të parë.
Në fjalën e saj, Besiana Kadare kujtoi lidhjen e të atit me Kosovën, duke treguar se shkrimtari për herë të parë e kishte parë Kosovën nga qielli, gjatë një udhëtimi me avion drejt një shteti tjetër.
Ajo tha se Kadare kishte qenë shumë i lidhur me Kosovën, ashtu siç kishin qenë edhe qytetarët e Kosovës të lidhur me të.
Besiana kujtoi se shkrimtari i kishte kushtuar Kosovës vargje, roman dhe letra drejtuar presidentëve dhe Papës, lidhur me masakrën që po përgatitej gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkaq, botuesi i veprave të Kadaresë, Bujar Hudhri, kujtoi vizitën e parë të shkrimtarit në Kosovë, menjëherë pas luftës, dhe pritjen që i kishin bërë lexuesit.
“Lexuesit besnikë Kadare i ka pasur gjithmonë në Kosovë”, tha Hudhri.
Në këtë ceremoni foli edhe akademik Mehmet Kraja, i cili theksoi se Kadare u përket të gjithëve, e më së shumti krijuesve letrarë.
Ndërkohë, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka vlerësuar figurën dhe veprën e Ismail Kadaresë, duke theksuar lidhjen e tij me Kosovën.
“Ismail Kadare mbetet një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Përmes veprës së tij, ai e bëri letërsinë shqipe pjesë të letërsisë botërore, ndërsa me qëndrimet e tij dëshmoi se Kosovën e kishte pjesë të pandashme të angazhimit të tij intelektual”, ka shkruar Bogujevci.
Ajo ka theksuar se ekspozita, përmes letrave, fotografive, dorëshkrimeve dhe botimeve, sjell në vëmendje lidhjen e shkrimtarit me Kosovën.
Bogujevci ka falënderuar institucionet që bashkëpunuan në realizimin e ekspozitës, ndërsa ka ftuar qytetarët ta vizitojnë atë.
“I ftoj qytetarët ta vizitojnë ekspozitën dhe të njihen më nga afër me veprën dhe trashëgiminë e Ismail Kadaresë”, ka shkruar ministrja.























