Haziri thotë se raporti i Progresit pasqyron degradim për Kosovën
K. K. / RTKlive
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën, pasqyron një gjendje të rënduar në të gjithë sektorët.
Në emisionin “RTK Prime”, Haziri ka deklaruar se raporti tregon se Kosova ka humbur dy vjet për shkak të jostabilitetit institucional.
“Raporti është i tmerrshëm në të gjithë sektorët. Paraqet gjendje të degraduar në çdo sektor. Kosova pasqyrohet në një degradim total”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian vazhdon të mbetet pa u shqyrtuar.
“Pse kjo ka probleme me u shqyrtuar kërkesa tash e katër vjet? Mungon angazhimi konkret”, është shprehur Haziri.
Duke komentuar raportin e BE-së, ai ka thënë se gjuha e përdorur në të është e kujdesshme, por përmbajtja duhet të merret seriozisht nga institucionet.
“Raporti shkruhet me një gjuhë shumë të kujdesshme. Po të pasqyrohej ashtu siç na e thonë neve zëshëm, Kosova është bërë vend i lajmit të keq, vend i problemeve, burim i problemeve”, ka deklaruar ai.
Haziri ka kritikuar edhe mungesën e bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke thënë se përgjegjësia për krijimin e raporteve politike i takon partisë që fiton zgjedhjet.
“Demokracinë e sheh si përgjegjësi, ku i pari që merr besimin duhet të hyjë në bashkëpunim, në marrëdhënie dhe në marrëveshje. Nuk është dobësi të bashkëpunosh me njerëz”, ka thënë Haziri.
Ai ka folur edhe për problemet në furnizimin dhe mirëmbajtjen e Policisë dhe FSK-së, duke përmendur mungesën e kushteve elementare për kryerjen e detyrave.
“Kur dështon ti me ia siguru kushtet elementare policit tënd, ushtarit tënd, gjyqtarit tënd me kry punën i pavarur, çfarë ka këtu opozita?”, ka deklaruar Haziri.























