Kurti për Le Monde: Kosova duhet të anëtarësohet në BE bazuar në meritë
RTKLive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në meritë dhe në reformat e realizuara, e jo të bëhet përmes rrugëve të tërthorta.
Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde, gjatë qëndrimit të tij në Paris, Kurti ka folur për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale dhe nevojën për mbështetjen e Francës në projektet infrastrukturore dhe energjetike të vendit.
Duke folur për situatën gjeopolitike, Kurti ka theksuar se agresioni rus në Ukrainë tregon se historia po rikthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë në këtë shekull.
Kryeministri kosovar po qëndron në Paris për një vizitë treditore, ku merr pjesë në edicionin e nëntë të Forumit të Paqes në Paris, ndërsa në agjendë ka pasur edhe dy takime me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Sipas Le Monde, Qeveria e Kosovës po kërkon mbështetjen e Parisit në disa çështje, përfshirë organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në Prishtinë.
Për këtë projekt, Kosova ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), për projektimin e fshatit ndërkombëtar të sportistëve.























