Lista Studentore vazhdon pretendimet kundër Kosovës, në linjë me Vuçiqin
A.B/RTKLive
Lista Studentore vazhdon me pretendimet kundër Kosovës, duke ndjekur të njëjtën linjë politike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Këtë qëndrim e ka përsëritur kandidati i kësaj liste, Jugosllav Gashiq, në një intervistë për RTV Vojvodinën, ku ka thënë se do ta mbrojnë Kushtetutën e Serbisë dhe dispozitat e saj që lidhen me Kosovën.
Ai flet kryesisht për qëndrimet e Listës Studentore lidhur me Kosovën dhe Listën Serbe.
I pyetur për deklaratën e kryeministrit Kurti, Gashiq përgjigjet me tone të ashpra dhe injorante, duke thënë:
“A e dini sa më interesojnë deklaratat e Kurtit pas vizitës sonë në Kosovë? Zero! Kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës.”
Gashiq ka folur edhe për vizitën e delegacionit të Listës Studentore në Kosovë, ku janë takuar me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë dhe në Manastirin e Deçanit. Ai ka thënë se kanë marrë mesazhe për nevojën e mbështetjes së serbëve në Kosovë.
Gashiq ka deklaruar gjithashtu se Lista Studentore nuk do të bashkëpunojë politikisht me Listën Serbe, ndonëse ka thënë se bashkëpunimi në nivel lokal, për çështjet që prekin qytetarët serbë, do të jetë i nevojshëm.
Ai ka përdorur gjuhë fyese dhe terma negativë ndaj Kosovës, duke e quajtur atë “provincë”. Ai harron se Kosova është njohur nga shumë shtete dhe se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Kandidati i kësaj liste, Jugosllav Gashiq, ka folur edhe për pushtetin e mëparshëm serb, për të cilin ka thënë se gjatë 14 vjetëve të fundit ka zhdukur shtetësinë e Serbisë.
“Për 14 vjetët e fundit kanë zhdukur shtetësinë e Serbisë nga ato zona. Ata kanë deklaruar se nuk do ta bëjnë këtë, ndërkohë që e bëjnë me gojën plot patriotizëm. Xhepat e tyre janë plot, shpirtrat e tyre janë bosh, por janë të mbështjellë me flamuj serbë dhe flasin për njëfarë patriotizmi”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se Lista e Studentëve nuk do të ketë komunikim me Listën Serbe në të ardhmen.
“Lista e Studentëve nuk do të ketë asnjë komunikim me Listën Serbe në të ardhmen. Dhe ne nuk mund ta ndikojmë këtë, sigurisht. Me disa cikle të reja zgjedhore të mundshme, ne sigurisht do të punojmë për ta ndryshuar atë staf dhe që ai të mos ekzistojë më në atë hartë politike. Jam mjaft i sigurt se, bazuar në materialet që marrim çdo ditë, shumë prej tyre do të përballen me përgjegjësi penale për atë që kanë bërë gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ai.























