Fetoshi: Kosova të forcojë partneritetin dhe qëndrueshmërinë
A.B/RTKLive
Ndryshimet në arkitekturën euro-atlantike të sigurisë, për Kosovën nënkuptojnë garancitë nëpërmjet KFOR-it, transformimin e plotë të FSK-së në ushtri partnere dhe konsolidimin e qëndrueshmërisë demokratike ndaj kërcënimeve hibride, vlerëson drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, në një analizë me titull “Berlini 2026: Kosova në kornizën euro-atlantike të sigurisë”, të publikuar në Facebook.
Siguria euro-atlantike ka imponuar zhvendosje nga mbrojtja konvencionale në një qasje gjithëpërfshirëse të frenimit strategjik, duke kombinuar fuqinë ushtarake me komunikimin, sigurinë kibernetike dhe qëndrueshmërinë institucionale ndaj kërcënimeve hibride. Ky, sipas Fetoshit, ishte mesazhi kryesor i konferencës së Berlinit, duke veçuar deklaratën e ministrit gjerman të Mbrojtjes, Pistorius, se NATO-ja duhet të bëhet më europiane, në mënyrë që të mbetet transatlantike.
Ai thotë se pjesëmarrja e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në panelin për frenimin e ndërhyrjes ruse dhe ajo e ish-ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj në panelin për angazhimin e besueshëm në Jug, dëshmon përkushtimin e Kosovës në forcimin e partneritetit euro-atlantik dhe vazhdimin e kontributit në sigurinë rajonale e ndërkombëtare.
Një nga tezat kryesore të analizës është se transformimi i arkitekturës euro-atlantike të sigurisë duhet të përfshijë edhe frenimin strategjik të Serbisë, të cilën Fetoshi e trajton si burim kërcënimi e destabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, rënia e Vuçiqit nuk garanton ndryshimin e politikës së jashtme të Serbisë, ndërsa demokratizimi i saj duhet të testohet veçanërisht me qëndrimet ndaj Kosovës dhe Rusisë. “Transformimi i vërtetë i saj kërkon ‘denazifikim’ të politikës, që duhet të nënkuptojë distancim të qartë nga trashëgimia gjenocidale e Millosheviqit - duke kërkuar falje për krimet e forcave serbe dhe duke bashkëpunuar për të pagjeturit; distancim të qartë nga strategjia hibride e Vuçiqit - duke dorëzuar Radojçiqin e të tjerët dhe duke frenuar BIA-n e kishën nga agjenda destabilizuese, si dhe distancim të qartë nga politika ruse - duke u bashkuar me sanksionet dhe duke dëshmuar përkushtimin drejt BE-së”, shprehet Fetoshi.
Në të kundërtën, argumenton ai, Serbia nën pushtetin e “studentëve” do të ishte thjesht zgjatim i mashtrimit për të fituar nga fondet e Perëndimit, ndërsa Perëndimi do të vazhdonte të “minohej” nga pritja ‘mirëkuptuese’ në emër të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Për këtë arsye, në përputhje me orientimet e Berlinit dhe Raportin e Progresit të KE-së për 2026, Fetoshi vlerëson se Kosova duhet të ndërtojë një mekanizëm plotësisht të institucionalizuar kundër manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjes së huaj.
Duke iu referuar Raportit, kjo nënkupton koordinim më të madh ndërinstitucional, reagim më të shpejtë ndaj kërcënimeve hibride dhe përmirësim të rregullimit të mediave online e përdorimit të inteligjencës artificiale.
Në përfundim, Fetoshi vëren se Kosova ka vetëm një rrugë strategjike: forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe thellimin e partneritetit euro-atlantik, duke e shndërruar qëndrueshmërinë demokratike në faktor kyç për frenimin e Serbisë dhe Kosovën si partnere të rëndësishme në arkitekturën euro-atlantike të sigurisë.























