Thaçi shpallet fajtor për pengim të drejtësisë, dënohet me 17 muaj burgim
BKT
Lajme

Thaçi shpallet fajtor për pengim të drejtësisë, dënohet me 17 muaj burgim

SH. Ç. &N. M. /RTKLive

(E plotësuar) Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor në Hagë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Christopher Gosnell, i cili bëri të ditur se Thaçi dënohet me 17 muaj burgim, si dënim të njësuar për veprat penale për të cilat u shpall fajtor.

Thaçi u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët, sipas pikave 1 dhe 2 të aktakuzës.

Ai u shpall gjithashtu fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës, sipas pikave 4, 5, 6 dhe 7, si dhe për mosbindje ndaj gjykatës, sipas pikave 8, 10 dhe 11 të aktakuzës.

Ndërkaq, gjykatësi e shpalli të pafajshëm për tentativë për pengim të personave zyrtarë, sipas pikës 3 të aktakuzës, dhe për mosbindje ndaj gjykatës, sipas pikës 9.

Gjyqtari: Nuk u provua tentativa e Thaçit dhe Kilajt për pengim të drejtësisë

(E plotësuar) Gjyqtari Christopher Gosnell tha se gjatë vizitës së Isni Kilajt në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, më 6 tetor 2023, Hashim Thaçi i dha atij udhëzime lidhur me dëshminë që duhej të jepte dëshmitari i identifikuar si Dëshmitari 4.

Megjithatë, sipas gjyqtarit, provat nuk tregojnë se Kilaj ndërmori ndonjë hap për ta kontaktuar këtë dëshmitar. Po ashtu, nuk u gjetën prova se vizitori tjetër, Kryeziu, kishte ndërhyrë.

“Në këto rrethana, nuk jam bindur se janë përmbushur kriteret”, tha Gosnell, duke mos konstatuar tentativë të Thaçit dhe Kilajt për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Por, gjyqtari konstatoi se Thaçi u kishte zbuluar Kilajt dhe Kryeziut informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë.

Gjyqtari Christopher Gosnell tha se provat vërtetojnë se Hajredin Kuçi kishte marrë udhëzime për të kontaktuar disa dëshmitarë në emër të Hashim Thaçit.

Nis seanca për rastin “Administrimi i Drejtësisë” në Hagë|Live

Gjykatësi i vetëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Christopher Gosnell, ka nisur leximin e përmbledhjes së aktgjykimit në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik.

Në fillim të seancës, Gosnell ka bërë të ditur se kjo është përmbledhje e aktgjykimit, e cila po shqiptohet në përputhje me rregullat 158 dhe 159 të Rregullores së Procedurës dhe Provave.

"Kjo është vetëm një përmbledhje e aktgjykimit, i cili po del sot në përputhje me rregullën 158 dhe 159 të Rregullores së Procedurës dhe Provave", ka thënë Gosnell.

Ai ka shpjeguar se Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë në kuadër të një procesi tjetër gjyqësor në Dhomat e Specializuara, në të cilin Thaçi ishte i akuzuar.

Sipas aktakuzës, Thaçi pretendohet se gjatë vizitave të ndryshme në objektin e paraburgimit në Hagë, në korrik, shtator dhe tetor të vitit 2023, kishte organizuar tri grupe me Fazliun, Smakajn dhe Kilajn, me qëllim që t'u përcillnin udhëzime dëshmitarëve të Prokurorisë.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, këto veprime synonin të pengonin përgatitjen dhe paraqitjen e dëshmitarëve para gjykatës.

Gosnell ka shpjeguar edhe akuzat ndaj secilit prej të bashkakuzuarve. Thaçi akuzohet, ndër të tjera, për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, zbulim të informacionit konfidencial për dëshmitarët dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërkaq, Smakaj, Kilaj dhe Fazliu akuzohen për përfshirje në veprime të përbashkëta për pengimin e personave zyrtarë, si dhe për ndihmë në mosbindjen ndaj gjykatës të Thaçit.

Hajredin Kuçi akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës, lidhur me përcjelljen e një mesazhi te një dëshmitar i Prokurorisë në prill të vitit 2023 dhe një marrëveshjeje të pretenduar për përcjelljen e udhëzimeve te tre dëshmitarë gjatë një vizite te Thaçi në shtator të po atij viti.

Gjykatësi ka paraqitur edhe rrjedhën e procesit gjyqësor, duke bërë të ditur se çështja i ishte transferuar më 12 nëntor 2025, ndërsa gjykimi kishte nisur më 27 shkurt 2026. Paraqitja e provave kishte përfunduar më 5 gusht, kurse deklaratat përmbyllëse ishin mbajtur më 10, 11 dhe 14 shtator 2026.

Gjatë gjykimit, sipas Gosnellit, janë dëgjuar ose paraqitur prova nga nëntë dëshmitarë, tre të Prokurorisë dhe gjashtë të Mbrojtjes. Në mesin e provave të pranuara ishin audio-incizime, të dhëna të telekomunikimit, mesazhe, të dhëna kompjuterike dhe prova të tjera dokumentare.

Në total, gjykatësi ka bërë të ditur se janë pranuar 241 prova materiale të Prokurorisë dhe 163 të Mbrojtjes.

Një pjesë e rëndësishme e shqyrtimit të tij iu kushtua audio-incizimeve të pesë vizitave të Thaçit me të bashkakuzuarit në objektin e paraburgimit. Mbrojtja kishte kundërshtuar mbështetjen në transkriptet dhe përkthimet e këtyre incizimeve, duke pretenduar se cilësia e tyre ishte e dobët dhe se ato duhej të transkriptoheshin nga e para nga persona neutralë.

Megjithatë, Gosnell ka thënë se nuk është bindur nga argumentet e Mbrojtjes lidhur me pamjaftueshmërinë e procedurës për kundërshtimin e transkriptimeve.

"Rrjedhimisht, transkriptet e audio-incizimeve dhe përkthimet përkatëse janë përdorur për t'u mbështetur në to si dokumentim i saktë i asaj që është thënë gjatë atyre vizitave", ka deklaruar ai.

Gjykatësi ka kundërshtuar edhe vlerësimin e ekspertit të Mbrojtjes për cilësinë e incizimeve, duke theksuar se eksperti nuk fliste shqip dhe nuk ishte ndihmuar nga një person që e njihte këtë gjuhë gjatë përgatitjes së raportit.

Ai ka vlerësuar se Njësia e Pavarur e Përkthimit e gjykatës mund të shqyrtonte në mënyrë kompetente pretendimet për gabime në transkriptim dhe përkthim.

Gosnell ka folur edhe për kundërshtimet e Mbrojtjes lidhur me identifikimin e personave që dëgjohen në audio-incizime, duke thënë se atribuimi i fjalëve nga Prokuroria nuk është trajtuar si provë më vete.

Sipas tij, pjesë të mjaftueshme të incizimeve mund t'u atribuoheshin në mënyrë të besueshme folësve, bazuar në përmbajtjen e bisedave dhe dallimet ndërmjet zërave.

Leximi i përmbledhjes së aktgjykimit po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Nis seanca për rastin “Administrimi i Drejtësisë” në Hagë|Live

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimi në rastin ku ish-presidenti Hashim Thaçi bashkë me ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakajn, ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilajn, ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliun dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin, ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Të pranishëm në seancë janë pesë të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, Thaçi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.


MË SHUME NGA Lajme