Trump: Irani po shqyrton mundësinë e zhvillimit të armëve kimike dhe biologjike
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump: Irani po shqyrton mundësinë e zhvillimit të armëve kimike dhe biologjike

atsh

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se ka të dhëna që Irani po shqyrton mundësinë e zhvillimit të armëve kimike dhe biologjike, pas raportimeve të fundit se Teherani mund të jetë duke planifikuar një sulm ndaj Uashingtonit.

“Ka tregues se Irani po shqyrton përdorimin e gazrave dhe armëve biologjike”, tha Trump për televizionin “Fox News”, kur u pyet lidhur me planet e pretenduara për sulm. Ai iu referua armëve biologjike duke i cilësuar si armë të rrezikshme. “Këta janë njerëz të këqij”, shtoi ai.

CNN, duke iu referuar vlerësimeve të shërbimeve amerikane të inteligjencës, raportoi këtë javë se Irani mund të jetë duke planifikuar shpërthimin e një të ashtuquajture “bombe të pistë” në kryeqytetin amerikan.

I pyetur nëse amerikanët duhet të shqetësohen për një sulm të mundshëm iranian ndaj SHBA-së, Trump u përgjigj se nuk ka arsye për shqetësim. Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse kjo ndodhte, SHBA-ja do t’i shkatërronte plotësisht.

Deklaratat u bënë në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po zhvillohet në qytetin Shenzhen, në jug të Kinës.

Ndërkohë, portali amerikan “Axios” raportoi se Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake, në shkallë të gjerë kundër Iranit, në bashkëpunim me Izraelin.

Sipas raportimit, Izraeli pretendon se disponon informacione të inteligjencës, që tregojnë se Irani ka intensifikuar kërkimet dhe zhvillimin në fushën e armëve kimike.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit në fund të shkurtit, ndërsa Trump argumentoi se Teherani nuk duhet të lejohet në asnjë rrethanë të zotërojë armë bërthamore.

Gjatë konfliktit, objektet bërthamore iraniane u bombarduan. Trump pretendoi se Irani tashmë po e zhvendos vëmendjen drejt armëve biologjike, pasi SHBA-ja i ka penguar ambiciet e tij për zhvillimin e armëve bërthamore.

Tensionet mes palëve janë rritur sërish ditët e fundit, pas sulmeve të përsëritura mes forcave amerikane dhe iraniane, si dhe goditjeve ndaj anijeve cisternë me naftë në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas “Axios”, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili po përballet me sfida për mbijetesën e tij politike pas zgjedhjeve parlamentare, po i kërkon Trump rifillimin, sa më të shpejtë të luftës.

Megjithatë, nga deklaratat e tij në “Fox News”, Trump la të kuptohet se një valë e re sulmesh nuk është e afërt dhe se do të presë të shohë zhvillimet e mëtejshme gjatë vitit të ardhshëm.

“Po afron një vit i ri dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë pas 1 janarit”, u shpreh ai.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota