Putin takohet me Xi Jinpingun, në pritje të Trumpit
BKT
Rajoni dhe Bota

Putin takohet me Xi Jinpingun, në pritje të Trumpit

Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Kinë, ku është pritur nga homologu kinez Xi Jinping, në një zhvillim që po tërheq vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare.

Takimi në Shenzhen zhvillohet në prag të një takimi të mundshëm trepalësh mes Xi Jinpingut, Vladimir Putinit dhe presidentit amerikan Donald Trump, ku pritet të diskutohen çështje me rëndësi strategjike për rendin botëror.

Lufta në Ukrainë, siguria ndërkombëtare, furnizimet me energji dhe raportet mes fuqive të mëdha pritet të jenë ndër temat kryesore të diskutimeve.

Një takim i tillë do të kishte peshë të veçantë politike dhe diplomatike, veçanërisht për Moskën, e cila synon të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar. Për Putinin, ulja në të njëjtën tryezë me liderët e Kinës dhe SHBA-së do të përbënte një mundësi për të rikthyer Rusinë në qendër të diplomacisë globale.

Megjithatë, mundësia e zhvillimit të bisedimeve pa pjesëmarrjen e Ukrainës ka shkaktuar shqetësim në Kiev. Autoritetet ukrainase paralajmërojnë se diskutimet për të ardhmen e konfliktit nuk duhet të zhvillohen pa përfshirjen e vendit që po përballet me agresionin rus.

Pekini, ndërkaq, deklaron se synimi i bisedimeve është ruajtja e paqes botërore, ndërsa përpiqet të ruajë ekuilibrin mes marrëdhënieve me Moskën dhe Uashingtonin.

Në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike, një takim mes tre liderëve mund të shënojë një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të ndikojë në zhvillimet e ardhshme politike, ekonomike dhe të sigurisë në botë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota