Huthitë marrin kontrollin e zonës pranë Ngushticës Bab al-Mandab
Bardhyl Bajrami / RTK
Forcat qeveritare të Jemenit, të mbështetura nga Arabia Saudite, janë tërhequr nga zona strategjike pranë Ngushticës Bab al-Mandab, duke ia lënë kontrollin rebelëve Huthi. Ky zhvillim rrit shqetësimet për sigurinë e një prej korridoreve më të rëndësishme detare në botë.
Ushtria jemenase njoftoi se po i zhvendos trupat nga zona pranë Ngushticës Bab al-Mandab për të përforcuar mbrojtjen e qytetit Aden, selia e përkohshme e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.
Tërheqja vjen pas disa javësh operacionesh për rimarrjen e territoreve që Huthitë i kishin pushtuar në shtator. Mediat e kontrolluara nga rebelët njoftuan se ata kanë marrë përsëri kontrollin e zonës.
Ndërkohë, lëvizja Huthi publikoi pamje që, sipas saj, tregojnë forcat e saj duke zmbrapsur përforcimet ushtarake të mbështetura nga Arabia Saudite në provincën Lahj. Grupi pretendon se ka marrë disa pozicione strategjike në zonat malore, si dhe ka shkatërruar ose dëmtuar dhjetëra automjete ushtarake. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Ngushtica Bab al-Mandab, në jug të Detit të Kuq, është një pikë kyçe për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe naftës. Kontrolli i saj nga Huthitë mund të ndikojë në sigurinë e lundrimit dhe tregtinë globale, në një kohë kur tensionet në rajon kanë rritur pasigurinë për eksportet energjetike.
Përshkallëzimi i luftimeve në Jemen ka shkaktuar viktima dhe zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve.
Sipas Kombeve të Bashkuara, afro 330 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa organizata ka bërë thirrje që palët të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën.























