Qindra burra marshojnë në Zvicër kundër dhunës ndaj grave
G.K/RTKlive
Qindra burra kanë protestuar të shtunën në kryeqytetin e Zvicrës, Bernë, për të dënuar dhunën ndaj grave dhe për të kërkuar angazhim më të madh të burrave në luftimin e kësaj dukurie.
Sipas Al Jazeera-s, protesta me moton “Burrat kundër dhunës ndaj grave” u mbajt para ndërtesës së parlamentit zviceran, mes shqetësimeve për përhapjen e qëndrimeve mizogjine në internet, veçanërisht te të rinjtë.
“Ne burrat jemi pjesë e problemit, që është dhuna ndaj grave dhe personave queer. Prandaj duam të jemi pjesë e zgjidhjes”, deklaroi Christoph Gosteli, një nga organizatorët e protestës.
Një studim i Universitetit të Cyrihut dhe organizatës MenCare, i publikuar në qershor, ka zbuluar se gjysma e burrave të anketuar të moshës 18 deri në 24 vjeç kanë pikëpamje kufizuese dhe të bazuara në dominim për maskulinitetin.
Studimi ka bërë thirrje për një debat të gjerë shoqëror mbi qëndrimet që nxisin dhunën, duke sugjeruar që diskutimet të fillojnë që në shkolla.
Ndërkohë, ministri zviceran i Drejtësisë, Beat Jans, ka deklaruar se burrat kryejnë katër të pestat e krimeve të dhunshme, ndërsa në rastet e përdhunimit kjo përqindje arrin në 99 për qind.
“Nuk janë të gjithë burrat. Por duhet ta pranojmë se pothuajse gjithmonë janë burrat. Dhuna nuk fillon me goditjen e parë, por me një koment nënçmues”, ka thënë Jans.























