Stuhia Charles godet Evropën Jugore, përmbytje dhe qindra fluturime të anuluara
BKT
Rajoni dhe Bota

Stuhia Charles godet Evropën Jugore, përmbytje dhe qindra fluturime të anuluara

G.K/RTKlive

Stuhia Charles ka shkaktuar përmbytje të mëdha dhe anulime të qindra fluturimeve në disa vende të Evropës Jugore, veçanërisht në Portugali dhe Spanjë. Reshjet e dendura dhe erërat e fuqishme kanë prekur edhe Francën, ndërsa pritet të përfshijnë Italinë dhe Ballkanin.

Sipas The Guardian, stuhia goditi fillimisht ishullin portugez të Madeirës, përpara se të zhvendosej drejt territorit kontinental më 11 nëntor.

Në aeroportin e Funchalit u regjistruan erëra me shpejtësi deri në 136 kilometra në orë dhe 355 milimetra reshje brenda 12 orëve.

Si pasojë e motit të keq, në Lisbonë u anuluan 183 fluturime, ndërsa në aeroportin Barajas të Madridit u anuluan 155 fluturime.

Pas përmbytjeve në Portugali dhe Spanjë, stuhia u zhvendos drejt jugut të Francës, ku në disa zona të Kanës u raportuan përmbytje dhe rrëshqitje shkëmbinjsh, që çuan në mbylljen e disa rrugëve përgjatë Rivierës Franceze.

Ndërkohë, autoritetet meteorologjike në Itali kanë lëshuar paralajmërim të kuq për reshje të dendura në zonën nga Toskana deri në Venecia.

Sipas The Guardian, gjatë ditëve të ardhshme priten reshje të tjera të dendura në Itali dhe Ballkan, me sasi që mund të arrijnë në 100 milimetra, ndërsa në zonat malore deri në 200 milimetra.

Në të njëjtën kohë, reshjet dhe erërat e fuqishme kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu edhe në Kolumbinë Britanike të Kanadasë, ku gjatë javës së kaluar mbi 400 mijë konsumatorë mbetën pa energji elektrike.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota