Nis kthimi i parave për klientët e Alta Bankës në Serbi
BKT
Rajoni dhe Bota

Nis kthimi i parave për klientët e Alta Bankës në Serbi

Tamara Nikçeviq

Sot ka nisur pagesa e depozitave të siguruara për klientët e Alta Bankës. Arrestimi i pronarit të saj, Davor Macura, i dyshuar se ka nxjerrë nga banka rreth 380 milionë euro, ka ngritur edhe çështjen e mbikëqyrjes së veprimtarisë bankare, ndërsa mbyllja e këtij institucioni financiar ka goditur veçanërisht komunitetin rus në Serbi.

Banka Poštanska štedionica, nga e premtja, 13 nëntor, ka nisur pagesën e depozitave të siguruara për klientët e Alta Bankës, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia ka revokuar licencën e veprimtarisë. Qytetarët nga sot mund të caktojnë termin përmes portalit të Poštanska štedionica, e cila i kryen pagesat në emër dhe për llogari të Agjencisë për Sigurimin e Depozitave.

Të drejtën e pagesës e kanë personat fizikë, sipërmarrësit, si dhe personat juridikë mikro, të vegjël dhe të mesëm. Klientët që kanë pasur shuma më të mëdha në bankë do të duhet të presin procedurën e falimentimit për të realizuar kërkesat e tyre financiare që nuk mbulohen nga sigurimi.

NË THESAR EDHE KARTËMONEDHA TË FALSIFIKUARA?

Kujtojmë se Prokuroria për Krim të Organizuar ka njoftuar se Davor Macura, pronar i Alta Bankës dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të regjimit të Aleksandar Vuçiqit, është arrestuar më 2 nëntor, nën dyshimin se ka nxjerrë nga kjo bankë rreth 383 milionë euro. Arrestimi ndodhi tri ditë pasi Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën Alta Bankës.

Prokuroria i ka ndaluar Macurës dhe disa kompanive në pronësi të tij të disponojnë me pasurinë e tyre.

Gazetari dhe redaktori i së përjavshmes së Beogradit “Radar”, Milan Ćulibrk, në një deklaratë për N1, e ka cilësuar rastin si një skandal që, sipas tij, nuk është shënuar ndonjëherë në historinë e veprimtarisë bankare.

“Ka indikacione se në thesaret e Alta Bankës ka pasur kartëmonedha të falsifikuara, për të paraqitur në mënyrë të rreme para të gatshme që në të vërtetë nuk kanë qenë kurrë aty”, ka thënë Ćulibrk.

Megjithatë, Prokuroria për Krim të Organizuar ka njoftuar se gjatë kontrolleve të deritanishme nuk janë konstatuar kartëmonedha të falsifikuara.

Sipas informacioneve të publikuara nga “Radar”, është kontrolluar gjendja reale e parave të gatshme në thesar, duke e krahasuar me dokumentacionin e bankës, ndërsa kontrolle shtesë do të kryhen nëse shfaqen dyshime për falsifikime.

Ćulibrk konsideron se përgjegjësia nuk mund të shihet vetëm përmes veprimeve të drejtuesve të bankës, por duhet të shtrohet edhe çështja e mbikëqyrjes nga Banka Popullore e Serbisë.

“Banka Popullore e Serbisë u ka besuar në fjalë se në thesaret e tyre mbanin gjysmë miliardi euro. Kur dikush mbledh para nga qytetarët dhe ndërmarrjet, paguan për to interes dyfish më të lartë se bankat e tjera dhe ato para i mban në thesar, atëherë duhet të ndizen të gjithë alarmet”, ka deklaruar Ćulibrk.

Banka Popullore e Serbisë ka njoftuar se përmes aktiviteteve të kontrollit ka konstatuar një përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes financiare të Alta Bankës.

Organet kompetente po vazhdojnë hetimet lidhur me veprimtarinë e bankës.

MË TË GODITURIT, RUSËT

Alta Banka ishte një nga institucionet e pakta financiare në Serbi ku, pas vendosjes së sanksioneve perëndimore ndaj Federatës Ruse për shkak të agresionit kundër Ukrainës në vitin 2022, shtetasit rusë, si persona fizikë dhe juridikë, mund të hapnin llogari bankare.

Mbyllja e bankës ka goditur edhe biznesmenët rusë.

Sipas të dhënave të një baze komerciale të të dhënave të biznesit, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, shtetasit rusë kanë themeluar më shumë se 22 mijë biznese në Serbi nga shkurti i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2026, prej të cilave aktualisht janë aktive 12.271.

Më shumë se 10 mijë prej tyre janë biznese individuale, ndërsa rreth 6.500 ndërmarrje të regjistruara, pronarët e të cilave janë shtetas rusë, kanë të paktën një llogari të hapur në Alta Bankë.

Gjatë viteve të fundit, shtetasit rusë kanë hasur vështirësi në hapjen e llogarive në disa banka në Serbi, për shkak të kontrolleve të shtuara që lidhen me sanksionet ndërkombëtare, rregullat për parandalimin e pastrimit të parave dhe vlerësimet e rrezikut nga bankat.

Një pengesë shtesë ka qenë përjashtimi i rreth dhjetë bankave më të mëdha ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, përmes paketave të ndryshme të sanksioneve të Bashkimit Evropian, të vendosura ndërmjet viteve 2022 dhe 2023.

Sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikave të vitit 2025, në Serbi qëndrojnë ligjërisht më shumë se 53 mijë shtetas rusë, të cilët janë shpërngulur në numër më të madh pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon temat nga rajoni.

 

 

L


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota