Evropa pritet të përfshihet në bisedime për Ukrainën
Bardhyl Bajrami / RTK
Përfshirja e përfaqësuesve evropianë në rundin e ardhshëm të bisedimeve për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë duket se ka marrë mbështetjen e palëve, pas takimeve të emisarëve amerikanë me presidentët Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin. Megjithatë, Moska nuk ka ndryshuar qëndrimin për kërkesat territoriale.
Emisari amerikan Jared Kushner tha se të dyja palët janë pajtuar që në rundin e ardhshëm të negociatave të përfshihen edhe partnerët evropianë. Sipas tij, kjo do të mundësojë diskutimin e çështjeve të sigurisë së Evropës pas luftës, krahas mosmarrëveshjeve territoriale mes Moskës dhe Kievit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e mirëpriti këtë zhvillim, duke thënë se Evropa duhet të ketë zë në negociata, pasi siguria e saj lidhet drejtpërdrejt me përfundimin e luftës në Ukrainë. Ai tha se takimet e fundit i kanë dhënë shpresë për përfundimin e konfliktit.
Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin përsëriti se qëndrimi i Moskës për luftën dhe kërkesat territoriale nuk ka ndryshuar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia është e gatshme të bisedojë me përfaqësues evropianë, nëse ata kanë mandat për ta bërë këtë, por pa konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në rundin e ardhshëm.
Takimet e emisarëve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner me Putinin në Moskë dhe Zelenskyn në Dublin vijnë pas negociatave në Abu Dhabi, të cilat përfunduan pa përparim të dukshëm. Megjithatë, Rusia dhe Ukraina u pajtuan për një shkëmbim të ri të të burgosurve, që Zelensky e cilësoi si rezultatin konkret të bisedimeve.























