Si u ndie në mbarë botën ndërprerja e shërbimeve të Microsoftit
A.B/RTKLive
Të paktën 74 shtete janë prekur nga ndërprerja e shërbimeve të Microsoftit, që u konstatua pas mesditës sipas orës lindore të SHBA-së (17:00 GMT) të enjten.
Shërbimet e Microsoft 365, përfshirë Teams, Outlook dhe programin e inteligjencës artificiale Copilot, po përballeshin me “probleme të lidhjes”, njoftoi kompania.
Të premten, në orën 12:00 GMT, Microsofti raportoi “përparim inkurajues në rikuperimin e shërbimeve në Evropë”, ndërsa situata në Japoni mbetej “relativisht më e qëndrueshme”. Edhe në Amerikën e Veriut, sipas kompanisë, gjendja po përmirësohej.
Nga administratat e qyteteve në SHBA deri te agjencitë australiane të inteligjencës, ndërprerja ka pasur ndikim të gjerë. Ja çfarë po ndodh në vende të ndryshme të botës.
SHBA dhe Kanada
Në SHBA, punonjës të Dhomës së Përfaqësuesve i thanë mediumit Politico se puna e tyre ishte ndërprerë për shkak të këtij problemi.
“Ne të gjithë përdorim Outlook, gjithçka e kemi aty, kalendarët tanë, kalendarin e shefit. Prandaj, kjo ka qenë një sfidë… pasi nuk kemi qasje në ‘biblën’ tonë”, tha një punonjës i Dhomës së Përfaqësuesve.
“Na iku një ditë e tërë pune legjislative”, shtoi ai.
Edhe gjigantët teknologjikë OpenAI dhe Anthropic kanë raportuar probleme.
OpenAI, kompania që krijoi ChatGPT-në, tha se po hetonte një problem që prekte lidhjet e saj me shërbimet e Microsoftit, duke bërë që disa mjete të mos funksiononin siç duhet.
Edhe gjykatat nga Los Angelesi deri në Teksas paralajmëruan se komunikimet mund të pësonin vonesa.
Prodhuesi i kamionëve elektrikë Workhorse Group, i cili pritej të publikonte rezultatet financiare për tremujorin e tretë më 12 nëntor, e shtyu publikimin e tyre për 16 nëntor, duke përmendur ndërprerjet në aktivitetin e biznesit të shkaktuara nga ky problem.
Ndërkohë, zyrtarët në disa qytete amerikane u bënë thirrje qytetarëve që, në rast nevoje, të kontaktonin zyrat dhe agjencitë lokale përmes telefonit, në vend të postës elektronike.
Llogaria zyrtare e qytetit të Austin në Teksas publikoi të premten herët në rrjetin X:
“Për shkak të ndërprerjes së vazhdueshme të Microsoft Outlook, punonjësit e qytetit të Austin nuk mund të pranojnë ose dërgojnë email-e në këtë kohë.
Linjat telefonike të qytetit vazhdojnë të funksionojnë dhe shërbimet emergjente 911 nuk janë prekur”.
Në Kanada, një rrjet shëndetësor që administron disa spitale në Toronto kishte shpallur gjendjen “Code Grey”, që nënkupton një dështim të infrastrukturës.
Kompania Unity Health Toronto tha se ekipet e saj po përballeshin me vështirësi në dërgimin dhe pranimin e email-eve, por theksoi se kujdesi ndaj pacientëve nuk ishte prekur, raporton BBC.























