Kreu i FAA-së: Sistemi ajror në SHBA do të vazhdojë të ketë defekte
BKT
Rajoni dhe Bota

Kreu i FAA-së: Sistemi ajror në SHBA do të vazhdojë të ketë defekte

G.K/RTKlive

Kreu i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Bryan Bedford, ka paralajmëruar se sistemi i vjetër i kontrollit të trafikut ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të ketë defekte derisa të zëvendësohet, duke theksuar nevojën për financim dhe modernizim të infrastrukturës.

Sipas BBC-së, Bedford ka deklaruar se është i bindur që sistemi aktualisht funksionon me të njëjtin nivel sigurie si dy javë më parë, por ka paralajmëruar se problemet teknike do të vazhdojnë pa investime të reja.

“Të mos e gënjejmë veten, ai do të vazhdojë të ketë defekte derisa ta zëvendësojmë”, ka deklaruar Bedford.

Deklaratat e tij vijnë pas problemeve teknike që shkaktuan ndalimin masiv të fluturimeve në gjithë SHBA-në. Autoritetet amerikane kanë konfirmuar se sistemi është rikthyer në funksionim të plotë, megjithëse mijëra fluturime pritet të anulohen edhe gjatë së shtunës.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka bërë të ditur se problemet u shfaqën gjatë punimeve për zëvendësimin e kabllove të vjetra të bakrit me fibra optike nga kompania kontraktuese L3Harris.

Ai ka shpjeguar se një ruter ku po kryheshin punimet shkaktoi mbingarkesë në sistemet e tjera të kontrollit të trafikut ajror, duke krijuar probleme në komunikimin me avionët.

Duffy ka theksuar se autoritetet po hetojnë nëse problemi erdhi si pasojë e një pajisjeje me defekt apo e gabimeve të kompanisë kontraktuese.

Ndërkohë, Bedford ka deklaruar se sistemi është stabilizuar, por ka paralajmëruar se nga 41 mijë fluturimet e planifikuara për të shtunën, rreth 4 mijë deri në 5 mijë mund të anulohen.

“Më e keqja është pas nesh”, ka deklaruar Bedford.

Ai ka bërë të ditur se gjatë ndalimit katërorësh të fluturimeve u prekën rreth 20 mijë fluturime, prej të cilave 8 mijë u rikthyen, ndërsa 12 mijë të tjera nuk mundën të realizoheshin sipas planit.

Bedford ka theksuar se nuk ka prova që incidenti të ketë qenë pasojë e ndonjë veprimi keqdashës apo e përfshirjes së inteligjencës artificiale.

“Nuk kemi asnjë provë për ndonjë veprim keqdashës dhe asnjë provë për ndonjë përfshirje të inteligjencës artificiale”, ka thënë ai.

Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar më shumë financim për modernizimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror, ndërsa Duffy i ka kërkuar Kongresit 50 miliardë dollarë për ndërtimin e një sistemi të ri.

Sa u përket pasagjerëve të prekur, Bedford ka deklaruar se atyre duhet t’u sigurohen fluturime alternative ose rimbursim i plotë.

“Ata duhet të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë e tyre ajrore”, ka thënë kreu i FAA-së.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota