Trump shqyrton pezullimin e sulmeve ndaj Iranit, por me kushte
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump shqyrton pezullimin e sulmeve ndaj Iranit, por me kushte

RTKlive

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të hapur mundësinë e pezullimit të sulmeve të tjera ndaj Iranit, me kusht që Teherani dhe rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, të mos ndërmarrin provokime të reja kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Trump ua ka bërë të ditur këtë qëndrim këshilltarëve të tij të lartë gjatë ditëve të fundit, duke sinjalizuar se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e shmangies së sulmeve të tjera në shkallë të gjerë.

Ky qëndrim vjen në kohën kur presidenti amerikan ka dhënë mesazhe të ndryshme për vazhdimin e konfliktit. Derisa ka paralajmëruar mundësinë e sulmeve të reja ushtarake, ai ka folur edhe për kufizimin e operacioneve dhe përfundimin e luftës.

Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se Trump ende nuk ka një plan të qartë për përfundimin e konfliktit, të cilin SHBA-ja e nisi së bashku me Izraelin në shkurt.

Gjatë takimeve me këshilltarët e sigurisë kombëtare dhe pas informimeve nga agjencitë e inteligjencës, Trump ka shprehur gatishmëri për të mos miratuar sulme të tjera, nëse Irani nuk ndërmerr veprime të reja provokuese.

Presidenti amerikan ka marrë parasysh edhe kërkesat e aleatëve të SHBA-së në Lindjen e Mesme, të cilët kanë kërkuar shmangien e një rikthimi në luftë të plotë.

Në një intervistë të fundit me komentatorin sportiv Stephen A. Smith, Trump deklaroi se kishte mundësi ta përfundonte menjëherë konfliktin, por po merrte parasysh qëndrimet e vendeve që SHBA-ja synon t'i mbrojë.

“Unë mund t’i jap fund menjëherë, por me kërkesë të vendeve që po përpiqem të mbroj, po zgjedhim një rrugë pak më të gjatë dhe më të matur”, deklaroi Trump.

Megjithatë, mundësia e sulmeve të reja mbetet e hapur.

Burime të Reuters bëjnë të ditur se ndër opsionet që po shqyrtohen është edhe goditja e objekteve bërthamore nëntokësore të Iranit. Megjithatë, nuk është e qartë nëse sulme të tjera do të sillnin rezultate të reja, pasi këto objekte janë goditur më parë nga forcat amerikane.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, sulmet e mundshme nuk pritet të ndikojnë ndjeshëm në qëndrimin e Teheranit gjatë negociatave.

Në të njëjtën kohë, SHBA-ja po shton praninë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme.

Reuters raporton, duke iu referuar burimeve të saj, se një aeroplanmbajtëse e tretë amerikane pritet të mbërrijë në rajon gjatë ditëve të ardhshme.

Fillimisht, ajo është planifikuar të zëvendësojë njërën nga dy aeroplanmbajtëset që ndodhen aktualisht atje, por nuk përjashtohet mundësia që të tria të qëndrojnë në rajon nëse paraqitet nevoja.

Ndërkohë, zyrtarët izraelitë vazhdojnë t'i kërkojnë administratës amerikane nisjen e një fushate tjetër ushtarake kundër Iranit.

Trump ka deklaruar se SHBA-ja tashmë ka arritur objektivat që mund t'i realizonte përmes negociatave me Teheranin, por nuk ka bërë të qartë nëse do të urdhërojë sulme të tjera.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka thënë se Uashingtoni nuk ka nevojë për marrëveshje me Iranin, duke pretenduar se SHBA-ja ka ndikim të konsiderueshëm mbi ekonominë iraniane dhe Ngushticën e Hormuzit.

Pavarësisht këtyre deklaratave, mbetet e paqartë se si do të veprojë administrata amerikane, ndërsa aleatët rajonalë vazhdojnë të kërkojnë shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota