Tsahkna: Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Rusisë dhe të mbështesë Ukrainën
A.B/RTKLive
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, ka thënë se mbështetja për Ukrainën dhe rritja e presionit ndaj Rusisë do të jenë prioritetet kryesore në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së (FAC), që do të mbahet nesër në Bruksel.
Në një postim në platformën X, Tsahkna ka përmendur edhe tentimin për sabotim të një kompanie estoneze të industrisë së mbrojtjes gjatë fundjavës, për të cilin autoritetet e sigurisë në Estoni kanë fajësuar shërbimin rus të inteligjencës ushtarake GRU.
Ai ka thënë se ky rast është një tjetër dëshmi se aktivitetet armiqësore të Rusisë shtrihen përtej Ukrainës. Në përgjigje, Estonia po përgatitet të mbyllë pikat e kalimit kufitar rrugor me Rusinë.
Tsahkna ka theksuar se veprimet armiqësore duhet të kenë pasoja dhe se i njëjti parim duhet të udhëheqë edhe përgjigjen e Evropës ndaj luftës së Rusisë.
Sipas tij, gati pesë vjet pas kërkesave të paraqitura nga presidenti rus, Vladimir Putin, në vitin 2021, Moska vazhdon të kërkojë diktimin e rregullimeve të sigurisë në Evropë.
Ai ka paralajmëruar se Evropa nuk duhet të lejojë që Putini të arrijë përmes negociatave të paqes atë që nuk ka mundur ta realizojë në fushëbetejë.
Ministri estonez ka bërë të ditur se në takimin e nesërm pritet të miratohen sanksione të tjera ndaj më shumë se 100 individëve dhe subjekteve, përfshirë ata që lidhen me sektorët financiarë dhe energjetikë të Rusisë, si dhe flotën e saj në hije.
Ai ka kërkuar gjithashtu masa më të gjera për të kufizuar të ardhurat e Rusisë nga lufta dhe për të vënë në shërbim të Ukrainës asetet sovrane ruse të ngrira.
«Evropa ka mjetet për të rritur presionin ndaj Rusisë. Duhet t'i përdorim ato», ka shkruar Tsahkna.























