19:08 / 15.11.2026
Estonia mbyll plotësisht kufirin me Rusinë pas parandalimit të një sabotimi nga GRU
A.B/RTKLive
Estonia do t’i mbyllë të gjitha pikat e kalimit kufitar me Rusinë nga 1 dhjetori, pas dëshmive se Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU) ka urdhëruar një sulm sabotues ndaj një kompanie të industrisë së mbrojtjes në Estoni.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, përmes një postimi në platformën X.
Ai ka thënë se Rusia duhet ta kuptojë se veprimet armiqësore ndaj Estonisë do të kenë pasoja.
Sipas Tsahknas, mbyllja e pikave kufitare do të zvogëlojë mundësinë e Rusisë për të kryer aktivitete armiqësore në Estoni dhe do të forcojë përpjekjet për të parandaluar shmangien e sanksioneve.
Ministri ka bërë të ditur se për këtë vendim i ka informuar homologët e tij nga Finlanda, Letonia dhe Lituania.























