Tragjedi në Tajlandë, 11 të vdekur dhe 17 të plagosur nga zjarri në Phuket
Sh.Ç/RTKlive
Një zjarr vdekjeprurës në ishullin Phuket të Tajlandës ka shkaktuar 11 viktima dhe 17 të plagosur, pasi flakët përfshinë një ndërtesë banimi dhe tregtare në orët e para të mëngjesit.
Një tragjedi e rëndë ka tronditur ishullin Phuket, në jug të Tajlandës, ku një zjarr masiv në një ndërtesë banimi dhe tregtare u ka marrë jetën 11 personave, ndërsa 17 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Flakët shpërthyen rreth orës 02:00 të mëngjesit të së hënës, në një ndërtesë ku në katin përdhes funksiononte një dyqan për dhënien me qira të motoçikletave, ndërsa katet e sipërme shërbenin për banim.
Sipas autoriteteve lokale, zjarrfikësve iu desh rreth një orë për të vënë zjarrin nën kontroll.
“Shkaku i zjarrit është ende nën hetim”, deklaroi komandanti i policisë së Phuket, Surachai Sooksai.
Hetimet paraprake hedhin dyshime mbi shpërthimin e një transformatori elektrik pranë ndërtesës, pak para shpërthimit të flakëve.
Guvernatori i Phuket, Chodnarin Koedsom, bëri të ditur se në ambientet e dyqanit ndodheshin rreth 100 motoçikleta, si dhe benzinë, vaj motori, goma dhe materiale plastike, të cilat mund të kenë përshpejtuar përhapjen e zjarrit dhe të tymit toksik.
“Viktimat duket se janë përpjekur t’i shpëtojnë flakëve duke u ngjitur drejt kateve më të larta të ndërtesës”, bëri të ditur guvernatori.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej trupave u gjet në katin e tretë, ndërsa dhjetë të tjerët në katin e pestë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe, ndërsa autoritetet tajlandeze vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e saktë të kësaj tragjedie.























