Tre shtete të BE-së kërkojnë qëndrim të përbashkët ndaj kërcënimeve ruse
G.K/RTKlive
Ministrat e Jashtëm të Rumanisë, Estonisë dhe Suedisë kanë kërkuar një përgjigje të bashkuar evropiane ndaj kërcënimeve ruse, pas sulmeve me dronë në Detin e Zi dhe rasteve të dyshuara të sabotimit në Evropë.
Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Dan Neculăescu, tha se do të kërkojë koordinim më të afërt ndërmjet NATO-s dhe BE-së, pasi tri anije u goditën nga dronët të dielën pranë Kanalit të Sulinës në Rumani.
“Kemi pasur katër alarme brenda 24 orëve dhe tri anije janë goditur gjatë fundjavës. Kjo është e papranueshme”, deklaroi ai.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, tha se tentativa e fundit për sabotim ndaj kompanisë Threod Systems, të cilën autoritetet estoneze ia atribuojnë inteligjencës ushtarake ruse GRU, dëshmon se aktivitetet armiqësore të Rusisë shtrihen përtej Ukrainës.
“Estonia po përgatitet të mbyllë pikat e kalimit kufitar rrugor me Rusinë si përgjigje. Veprimet armiqësore duhet të kenë pasoja”, shkroi ai në platformën X.
Ndërkaq, ministrja e Jashtme e Suedisë, Maria Malmer Stenergard, tha se shtimi i incidenteve të luftës hibride pasqyron frustrimin e Kremlinit, pasi Rusia nuk po fiton në Ukrainë.
Ajo bëri thirrje që Evropa të jetë e bashkuar dhe qytetarët e saj të jenë të përgatitur për këto kërcënime. / Burimi: Euro News























