Trump dhe Putin takohen në Kinë, shtrëngojnë duart në praninë e Xi Jinpingut
Sh.Ç/RTKlive
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin janë takuar në Shenzhen të Kinës, ku kanë shtrënguar duart dhe kanë shkëmbyer disa fjalë gjatë pritjes zyrtare për liderët pjesëmarrës në samitin e APEC-ut.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marrë pjesë në darkën mirëseardhëse të liderëve të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), e organizuar në qytetin Shenzhen të Kinës, ku është takuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.
Liderët botërorë u pritën në një hyrje të shtruar me qilim të kuq, ndërsa me rastin e arritjes së Trumpit, një orkestër interpretoi këngën amerikane “America the Beautiful”.
Trump ndaloi për pak çaste për të dëgjuar muzikën, duartrokiti dhe përshëndeti të pranishmit, përpara se të pozonte para kamerave.
Liderët pjesëmarrës u prezantuan një nga një dhe u pritën nga presidenti kinez Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, të cilët janë nikoqirë të këtij takimi ndërkombëtar.
Pas përshëndetjeve individuale, liderët u mblodhën për fotografinë e përbashkët. Gjatë këtij momenti, presidenti rus Vladimir Putin iu afrua Donald Trumpit, me të cilin shtrëngoi duart dhe shkëmbeu disa fjalë.
Në mesin e liderëve të pranishëm ishin edhe presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, dhe kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, me të cilët Trumpi zhvilloi takime, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Takimi dhe përshëndetja mes Trumpit dhe Putinit u zhvilluan në prani të presidentit kinez Xi Jinping, në kuadër të aktiviteteve zyrtare të samitit APEC.






















