”The Economist”: 10 zhvillimet që mund të ndryshojnë botën në 2027-n
atsh
Në analizën e tij vjetore “The World Ahead 2027”, Tom Standage, redaktor i revistës “The Economist”, paraqet 10 zhvillimet që pritet të ndikojnë në politikën ndërkombëtare, ekonominë, teknologjinë dhe jetën e përditshme gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas tij, bota po hyn në një periudhë ku realiteti po i afrohet gjithnjë e më shumë skenarëve të fanta-shkencës.
1. Epoka pas Trumpit.
Pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, vëmendja do të përqendrohet te gara për pasuesin e Donald Trumpit. Megjithatë, presidenti Trump pritet të vazhdojë të ushtrojë ndikim të fortë përmes vendimeve ekzekutive, përplasjeve ligjore dhe nismave të mëdha politike e ushtarake, duke u përpjekur të përcaktojë trashëgiminë e tij politike.
2. Pasojat e konfliktit me Iranin.
Zgjidhja përfundimtare e konfliktit në Lindjen e Mesme duket e vështirë. Pasojat do të ndihen gjatë vitit 2027, duke ndryshuar ekuilibrat politikë rajonalë, rrjedhat energjetike dhe sigurinë ushqimore.
Mungesa e plehrave kimike bujqësore mund të krijojë presion shtesë mbi prodhimin e ushqimit, ndërsa regjimi iranian pritet të forcojë kontrollin e brendshëm.
3. Një tjetër vit rekord për temperaturat.
Viti 2027 parashikohet të jetë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, i ndikuar edhe nga fenomeni i fuqishëm klimatik El Nino. Priten më shumë thatësira, valë të nxehti, zjarre dhe ngjarje ekstreme atmosferike.
Në këtë situatë, energjia e rinovueshme shihet si një zgjidhje jo vetëm për ndryshimet klimatike, por edhe për të ulur varësinë nga luhatjet e tregjeve globale të energjisë.
4. Rritja e reagimit kundër inteligjencës artificiale.
Zhvillimi i shpejtë i IA-së do të shoqërohet me shqetësime për sigurinë, sulmet kibernetike dhe rreziqet financiare të kompanive teknologjike.
Marrëveshjet komplekse të financimit dhe borxhet në rritje mund të krijojnë rrezik për një krizë në sektorin e inteligjencës artificiale.
Gjithashtu, qeveritë do të shqetësohen për varësinë nga zinxhirët globalë të furnizimit me teknologji.
5. Përparimi i së djathtës populiste në Evropë.
Franca do të jetë në qendër të vëmendjes politike, pasi Marine Le Pen dhe partia e saj Tubimi Kombëtar mund të kenë mundësi reale për të fituar zgjedhjet presidenciale. Një zhvillim i tillë mund të ndryshojë ekuilibrat brenda Bashkimit Evropian dhe të dobësojë bashkëpunimin tradicional franko-gjerman.
6. Presioni i tregjeve të obligacioneve.
Borxhet publike, shpenzimet e mëdha qeveritare, investimet masive në infrastrukturën e inteligjencës artificiale dhe rikthimi i inflacionit po rrisin kostot e huamarrjes. Kjo do të ushtrojë presion mbi qeveritë, kompanitë dhe familjet, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë financimin e ekonomive të zhvilluara.
7. Afati kritik për Tajvanin.
Kina po përgatit kapacitetet e saj ushtarake për një skenar të mundshëm pushtimi të Tajvanit.
Sipas vlerësimeve të përmendura në artikull, presidenti kinez Xi Jinping ka vendosur vitin 2027 si afat që ushtria kineze të jetë e gatshme për një operacion të tillë.
Vëmendja do të përqendrohet te vendimi i Pekinit dhe reagimi i SHBA-së, ndërsa dy vitet e ardhshme konsiderohen veçanërisht të rrezikshme për sigurinë në Azi.
8. Efekti Ozempic.
Medikamentet për humbjen e peshës, si Ozempic dhe trajtime të ngjashme, po ndryshojnë jo vetëm shëndetin, por edhe sjelljen konsumatore.
Njerëzit që humbin peshë po shpenzojnë më shumë për veshje, kozmetikë dhe aktivitet fizik.
Suksesi i këtyre barnave po nxit gjithashtu interesin e kompanive farmaceutike për trajtime që synojnë zgjatjen e jetëgjatësisë.
9. Ulja e kostos së udhëtimeve në hapësirë.
Anija gjigante “Starship” e “SpaceX” pritet të nisë dërgesa më të rregullta satelitore, ndërsa kompanitë kineze do të demonstrojnë teknologji të reja për ripërdorimin e raketave.
Ulja e kostove mund të hapë rrugën për stacione hapësinore private dhe madje për ndërtimin e qendrave të të dhënave në orbitën e Tokës.
10. Rilindja e Hollivudit
Industria e filmit do të përballet me sfidën për të tërhequr publikun, i cili po tregon lodhje nga vazhdimet e pafundme të filmave të njohur.
Rikthimi i “Star Wars” me rastin e 50-vjetorit, filmat e rinj të “Avengers” dhe një James Bond i ri do të testojnë interesin e publikut.
Ndërkohë, suksesi i filmave me buxhet të ulët të krijuar nga YouTube po sfidon modelin tradicional të Hollivudit.






















