Kushner: Rusia ka pranuar të marrë pjesë në një format shumëpalësh me Evropën
BKT
Rajoni dhe Bota

Kushner: Rusia ka pranuar të marrë pjesë në një format shumëpalësh me Evropën

atsh

Rusia ka pranuar të shqyrtojë pjesëmarrjen në një format negociatash shumëpalëshe me vendet evropiane, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga Jared Kushner, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, gjatë takimit me udhëheqësit evropianë në Berlin.

Kushner theksoi se është e nevojshme që Rusia dhe Evropa, të rifillojnë komunikimin e drejtpërdrejtë, pasi sipas tij, prej rreth katër vitesh nuk kanë pasur një dialog të tillë në nivelin e nevojshëm politik.

“Rusia dhe Evropa duhet të fillojnë të flasin përsëri me njëra-tjetrën. Ata nuk e bëjnë këtë prej katër vitesh”, deklaroi ai.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar në Berlin, ishte krijimi i garancive të sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës.

Kushner tha se çdo garanci e tillë do të mbështetej në një model të ngjashëm me Nenin 5 të NATO-s, që përcakton parimin e mbrojtjes kolektive në rast të një sulmi ndaj një vendi anëtar.

Sipas tij, gjatë kontakteve me palën ruse, është krijuar bindja se Moska mund të pranojë konceptin e një garancie sigurie të këtij lloji për Ukrainën.

“Besoj se kemi arritur që rusët të ndihen të qetë me këtë koncept”, deklaroi Kushner, duke shtuar se presidenti Trump është i hapur ndaj kësaj mundësie.

Megjithatë, ai nënvizoi se një angazhim i tillë duhet të jetë edhe në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi do të përbënte një përgjegjësi të rëndësishme për Uashingtonin.

Një garanci sigurie, e bazuar në modelin e Nenit 5, synon të sigurojë që Ukraina të mos mbetet e pambrojtur në rast të një sulmi të ri pas përfundimit të konfliktit.

Pjesëmarrja e mundshme e Rusisë në një format shumëpalësh me Evropën, do të ishte gjithashtu një zhvillim i rëndësishëm diplomatik, pasi do të hapte rrugën për rikthimin e kontakteve të drejtpërdrejta mes Moskës dhe kryeqyteteve evropiane, në diskutimet për sigurinë e kontinentit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota